Nga Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal, i cili po mbahet në Shkup, kryeministri Edi Rama u shpreh se kush nuk e kupton sa të vegjël jemi të ndarë është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë Rama deklaroi se nuk do të presin konsensusin e të gjitha vendeve në rajon, duke “thumbuar” Albin Kurtin që është kundër kësaj nisme, por do ta bëjnë realitet tani.

“Uroj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria dhe Serbia, por edhe nga Mali i Zi, Kosova e shtete të tjera. Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej 3 vendeve tona. Besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar rëndësinë e kësaj nisme. Këtu janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes që duan të shkojnë më tutje. Për të gjithë ata, kjo nismë është gjëja e duhur dhe ndryshe nga sa predikojnë disa, është edhe e vonuar.

Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt. Kush nuk e kupton akoma sa të vegjël jemi të ndarë, për më shumë punë, për më shumë perspektivë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën”, tha Rama.