Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë mesditë në Përrenjas, ku po zhvillon një takim elektoral me qytetarë të kësaj zone.

Rama foli dhe për largimin e të rinjve nga Shqipëria, duke thënë se nuk është mëkat që ata ikin, por është shumë e rëndësishme që kur largohen, ata të kenë edhe shkollim, në mënyrë që të gjejnë punë atje.

Për këtë arsye, ai kujtoi reformën në arsim, ku tha se nuk ka pasur asnjë ankesë, dhe ku sipas tij, investimi që bëjnë prindërit për fëmijët e tyre nuk shkon më dëm.

“Unë besoj që dielli i Shqipërisë nuk është i bukur vetëm për turistët e huaj, por mund të bëhet i bukur për të gjithë shqiptarët. Ne po kalojmë më në fund hendekun e madh që hapi mes nesh dhe shqiptarëve tërmeti dhe pandemia, është koha të besojmë jo duke parë ëndrra në gjumë, por duke parë realitetin e fakteve, kantiere, që tregojnë se shqiptarët do të fuqizohen së bashku.

Shqipëria do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë dhe do të ngjitet në një nivel tjetër. Dje një gazetar më thoshte se janë shumë 4 aeroporte, janë tepër, janë kot, për madhësinë dhe popullsinë që ka Shqipëria. Në fakt kjo është e pavërtetë. Kroacia ka 9 aeroporte me 4 milionë banorë. Të jeni të bindur miqtë e mi se ndarja është shumë e qartë, mes atyre që tjetër thonë e tjetër bëjnë, dhe atyre që bëjnë atë që thonë dhe thonë atë që bëjnë. Këta të fundit jemi ne, Partia Socialiste e Shqipërisë. Çdo njeri duhet ta di sot se ndërkohë që tjerët flasin për BE, si një destinacion, bujqësia jonë, sektori i prodhimit, i përpunimit, i grumbullimit, brenda gjithë sektorit të bujqësisë, janë tanimë pjesë e angazhimit me BE. Vetëm në dy vitet e fundit janë 120 milionë të investuara në fshat për pika grumbullimi e përpunimi. Të gjitha këto janë bërë me qeverinë shqiptare.

Në mandatin e tretë, pa asnjë dyshim, do të shkojnë mbi 1 miliard eksportet bujqësore, sepse e kemi shtruar rrugën, duhet vetëm të vazhdojmë. Dua t’iu them të gjithë atyre që merren me një biznes të vogël, se sot ata kanë hyrë në vitin e parë të historisë së këtij vendi, qysh se u njoh e drejta e pronës dhe aktivitetit privat, pa taksa. E kanë taksën dhe TVSH zero dhe kështu do ta kenë deri në vitin 2029 me PS. Nëse bien pre e sirenave joshëse të jetës fushë me lule, kanë shumë për të humbur. I kemi parë me bori, makina, këngë e valle, Sudet, Vebitë, dhe më pas pamë atë që mos e paftë kurrë më asnjë familje, pamë sesi ajo rruga e shkurtër na nxori jo vetëm gjatë, por në fundin e një gremine nga ku vuajtëm për t’u ringritëm. Ne kemi të gjitha arsyet për të besuar se përderisa ne ja dolëm me forcën e besimit, të durimit, që të ringrihemi më të fortë, ne jemi ata që së bashku mund t’ia dalim që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, vendin ku ekonomia rritet me punë, me këmbëngulje, për të gjithë.

Unë dua një rritje ekonomike të fuqishme jo vetëm për ekonominë, por për çdo familje. Investimet më të mëdha që mund të kemi imagjinuar ndonjëherë janë gati. Është një infrastrukturë e tërë e re, moderne, transformuese, që në thelb është një infrastrukturë e rritjes së punësimit, vendeve të punës të paguara më mirë. Të gjithë prindërit bëjnë mirë ta mendojnë se sot investimet për fëmijët e tyre nuk shkojnë më dëm, siç shkonin disa vite më parë, kur diploma që fëmijët e tyre merrnin ishte pa asnjë vlerë. Unë e kuptoj shumë mirë sa e rëndësishme është të vazhdojmë me arsimin profesional. Nuk është mëkat që një vajzë apo një djalë të largohet, por unë dua që kur ata largohen, të kenë një zanat me vete, të kenë atje një vend pune, për të mos rënë pre e trafikantëve. S’ka qenë kurrë e lehtë. 25 prilli është një provë force e karakterit shqiptar. Deri dje hyrja në universitet ishte një Pazar i madh. Sot, me reformën tonë dhe me sistemin e ri të hyrjes në universitet, nuk ka më asnjë ankesë”, u shpreh Rama.