Në një konferencë të përbashkët me kryeministren e Finlandës, Sanna Marin, e cila ka mbërritur në Tiranë në një vizitë zyrtare, kreu i qeverisë Edi Rama ka folur edhe mbi gjendjen e luftës në Ukrainë. Ndër të tjera kryeministri ka thënë se ajo që po ndodh në Ukrainë mund të vijë edhe në Ballkan sepse sipas tij rajoni është një hallkë delikate.

 

“Kur një vend tjetër nxirrte bishta për politikën e brendshme unë përdorja Finlandën e thoja si ka mundësi që nuk i ka këto probleme me ne megjithëse është vendi me standardet më të larta të transparencës. Ju jam mirënjohës. Nëse së bashku jemi në një front kundër agresionit rus në Ukrainë, Finlanda ka shumë për të treguar neve dhe të gjithë të tjerëve pasi për shkak të historisë dhe pozicionit të vet e njeh shumë mirë agresiorin dhe natyrën e tij, pasi ka nxjerrë shumë mësime nga fqinjësia me Rusinë. Mendoj që ka një zë shumë të respektueshëm se sa e rëndësishme është rezistenca dhe cila është lidhja që disa nuk duan ta bëjnë mes asaj që ndodh në Ukrainë dhe nëser mund të vijë këtu. Në këtë kontekst Ballkani është një hallkë e dobët delikate dhe për këtë arsye Finlanda ka shumë për të treguar këtu.”