Kryeministri ka komentuar me tone keqardhjeje marrëveshjen e firmosur mes kreut të PD-së Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi. Rama tha se në asnjë vend të botës nuk ka një marrëveshje paraelektorale mes dy partive që dalin veç në zgjedhje dhe sipas tij pakti ka një shpjegim tjetër.

Sipas kreut te Partisë Socialiste, që hyn i vetëm në zgjedhje, me marrëveshjen e 1 marsit, Lulzim Basha tashmë është “i lidhur me zinxhirë” nga Berisha dhe Meta.


“Sa i përket marrjes së drejtimit të opozitës kjo besoj është e qartë, për ata që shikojnë përtej asaj që duket, mjaftojnë të shikojnë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin. Si mund të firmosin një marrëveshje paraelektorale dy parti që garojnë veç e veç?! E keni parë në ndonjë vend të botës?!

Shumë e thjeshtë, pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës, për llogari të Salit dhe Ilirit, dhe pastaj sigurisht, ose për të marrë pushtetin dhe për shpërbërjen e Reformës në Drejtësi, ose për të marrë kokën e Lulit. A ka më thjesht se kaq. Është e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve”, tha Rama.

Rama komentoi edhe deklaratën e bërë nga presidenti Ilir Meta, i cili u shpreh se do të jepte dorëheqjen nëse Edi Rama merr në zgjedhjet e 25 prill 71 mandate pa prekur votën e popullit.

“Në një farë mënyre Ilir Meta duhet falënderuar sepse ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referendumit, që ishte i paplotë me vetëm njërën anë, që më 25 prill referendumi popullor do shpërbëjë Reformën në Drejtësi. Tani ilir Meta i fton shqiptarët në një referendum ku duhet të zgjedhin, Me drejtësinë, apo me Ilir Metën. Zgjedhje më të qartë, më të drejtpërdrejtë shqiptarët nuk mund të kenë, dhe për këtë duhet ta falenderoj” tha Rama.

Deklarata e Ilir Metës

Gjatë intervistës në emisionin “Frontline”, kreu i shtetit u shpreh: “Nëse ai merr 71 mandate pa prekur votën e popullit unë në 26 prill jap dorëheqjen nga posti i Presidentit. Do kaloj në opozitë dhe marr drejtimin e opozitës”.

Pyetjes, nëse do ti zërë vendin Lulzim Bashës, presidenti Meta iu përgjigj: “Unë do të bëhem udhëheqësi i opozitës. Nuk më intereson se kush do të jetë dhe kush është. Unë besoj të demokracia”.