Gjeneral Majori Joseph Jarrard dhe Zëvendës Komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë dhe Afrikë, ishte një ditë më parë në presidencë, ku për ta pritur u mblodh edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Të pranishëm në takim ishin jo vetëm presidenti Meta dhe kryeministri Rama, por edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, bashkë me ambasadoren amerikane dhe disa ministra.

Gjenerali është në Tiranë për përgatitjet e stërvitjes më të madhe të NATO-s e zhvilluar ndonjëherë në Ballkan, që quhet Defender Europe 21, ku pritet që në Shqipëri të kalojnë 6 mijë trupa të aleancës.

Por sot, në një vizitë të papritur, gjenerali Jarrard është shfaqur në Portin e Durrësit. Në postimin që ka bërë në Facebook, ambasada amerikane shkruan: Porti do të jetë një nyje e rëndësishme logjistike për stërvitjen e ardhshme Defender Europe 21. Anijet ushtarake të logjistikës do të dorëzojnë pajisje luftarake për stërvitjen në Shqipëri përmes Portit të Durrësit këtë verë. Kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë për aleancën e NATO-s.

 

Por deklarata e ambasadës amerikane krijon kontrast me planet që ka qeveria shqiptare për Portin e Durrësit, që synon ta kthejë atë në një port turistik, për ndërtimin e marinave detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave të reja përgjatë tij, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie.

Ndërtimet thuhet se do të bëhen nga kompania Emar, me bazë në Emiratet e Bashkuara, bisedimet me të cilën tashmë kanë nisur. Sipas asaj që kanë deklaruar ministrat e qeverisë Rama, Kompania e Emirateve të Bashkuara, Emar, synon investimin e një shume me vlerë 2 miliardë Euro për ngritjen e infrastruktrës së re të portit për qëllime turistike dhe ndërtimin e rezidencave moderne dhe hotelerisë.

Por sinjalet që vijnë nga ambasada amerikane, duket se bien ndesh me këto projeksione, për të cilat, Rama duket se nuk ka marrë OK nga partnerët euroatlantikë.©Lapsi.al