Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka deklaruar bashkëpunimin me PD për rrëzimin e qeverisë.
I pyetur nga gazetarët se si do të paraqitet ky bashkëpunim, Meta tha se opozita e vërtetë është në protesta çdo ditë, ndërkohë që denoncoi dhe një biznes të ri që sipas tij ka shpikur qeveria, atë me çështjet në arbitrazh.

Meta u ndal edhe tek kryeministri Edi Rama duke thënë se atij po i vjen shumë shpejt koha e mjekimit të detyruar duke nënkuptuar humbjen në zgjedhje.

Në çfarë formë do të vijnë protestat, në rrethe, apo vetëm në Tiranë?

Meta: Ne jemi në protestë çdo ditë, çdo orë, jemi në një aksion të përditshëm ballafaqimi, nxisim qytetarët shqiptarë të reagojnë në mënyrë demokratike ndaj kësaj qeverie që ka në program vjedhjen dhe grabitjen e pasurive, largimin dhe përzënien e të gjithë të rinjve, që kërkojnë një Shqipëri europiane, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit.

Ky është programi ynë, dhe për këtë do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që kanë ndërmend përmbysjen e shpejtë. Askush nuk e thotë me siguri se sa është borxhi real, do të habiteni me shumë çështje, vetëm në arbitrazh, askush nuk e di sa ka shkuar numri, është një biznes i ri që ka shpikur kjo qeveri. Edhe arbitrazhesh i kanë kthyer në biznes.