Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Gjirokastër, u shpreh se ai nuk ishte i kënaqur, pasi sipas tij kishte ende punë për të bërë dhe se koha nuk pret. Rama u justifikua me pengesat që i kanë dalë përpara dy vitet e fundit si tërmeti dhe pandemia.

“Distanca nuk na pengon që të kemi një bashkëbisedim të hapur dhe me ato që quhen ‘pyetje të vështira’ për qeverinë, pasi në fund të fundit ky është qëllimi i këtij bashkëbisedimi dhe do të kisha mirënjohje për ata që bëjnë pyetje. Në mënyrë që jo vetëm të japim nga ana jone shpjegime mbi atë se çfarë po kalojmë, nga vijmë dhe ku duam që të shkojmë. Por edhe në mënyrë që të mund të sqarohemi për një pikë me rëndësi, që qeveria nuk ka një shkop magjik. Ajo çka na duhet është që të punojmë pa u ndalur dhe të rezistojmë me durim përballë vështirësive, përballë pengesave të trashëguara, apo atyre të papriturave që na dalin, siç kanë qenë dy goditjet e mëdha, tërmeti dhe pandemia. Tërmeti na vuri përballë mbrojtjes së jetës. Unë hyj tek të pakënaqurit, pasi mendoj se ka shumë ende për të bërë, pasi koha nuk pret në sensin e viteve që kalojnë dhe se çfarë kemi bërë nuk vlen për të kërkuar që njerëzit të jenë të lumtur. Por kjo vlen vetëm për të kuptuar se rruga është e duhura, drejtimi është i duhuri dhe duhet të këmbëngulim e të vazhdojmë drejt.”, tha ai.