Kryeministri Edi Rama është pritur në Shkup me ceremoni zyrtare nga kryeministri Dimitar Kovaçeski. Gjatë mbledhjes së qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Rama theksoi rëndësinë e procesit të Ballkanit të Hapur. Kryeqeveritari tha se rezultatet kane qenë të mira. Ai shtoi faktin se ky proces nuk e përjashton procesin e Berlinit.

 

 “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë një farë përgatitje duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen. Jo thjesht në mënyrë individuale si shtete me vete por edhe në mënyrë kolektive. Kjo si vende të së njëjtës zonë gjeografike dhe gjeopolitike qoftë në aspektin e rajonit qoftë në BE. Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej se djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe për të projektuar një të ardhme që të rrisë në maksimum aftësinë e vendeve tona që të përfitojnë në një hapësirë më të madhe se hapësira jonë e përveçme gjeografike. Kemi parë rezultate të mira të marrëveshjeve të bëra. Jemi mbështetës të palëkundur të Procesit të Berlinit, duke pasur aftësinë t’i shohim këto nisma si pjesë të njëra tjetrës dhe jo si përjashtuese të njëra-tjetrës”, tha Rama.