Dy optikat e ndryshme të superfuqive botërore, BE-së dhe ShBA-së në raport me marrëveshjen e Kosovës dhe Izraelit, duken si anët e kundërta të një magneti që po ushtron presion ndaj një shteti të vogël dhe ende të brishtë, siç është Kosova.

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Hapjen e ambasadës kosovare në Jerusalem, Departamenti i Shtetit Amerikan e përshëndeti edhe sot në Twitter, duke shtuar se SHBA do t’i qëndrojë përkrah Kosovë përgjatë rrugëtimit euroatlantik.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Izraelin dhe Kosovën për zyrtarizmin e marrëdhënieve diplomatike. Dje ishte një ditë historike. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të dy vendet. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme. SHBA-të do të qëndrojnë përkrahë Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Artikuj të ngjashëm:

Njohja nga Izraeli/ BE: Nuk po i themi Kosovës çfarë të bëjë, por të rreshtohet me ne

SHBA-ja e quan ditë historike vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael

Zyrtare/ Izraeli shteti i 117 që njeh Kosovën, por me kusht

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian që vijon t’i mbajë ambasadat e të gjithë shteteve të anëtarësuara në Tel Aviv, e sheh veprimin e Kosovës si një devijim nga qëndrimet politike dhe linja që ndjek BE.

“Për BE-në çështja e Jerusalemit është diçka shumë, shumë e qartë kur bëhet fjalë për përfaqësimin diplomatik të shteteve anëtare. E theksoj se të gjitha ambasadat dhe delegacionet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë të vendosura në Tel Aviv, bazuar në vendimet përkatëse të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, si dhe përfundimet e Këshillit Evropian”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Nga Kosova ka pretendime së BE po i ushtron padrejtësisht trysni. Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Zërin e Amerikës se as vetë Bashkimi Evropian nuk është aq i unifikuar në qëndrimet e veta sa i takon politikës së jashtme. Ajo pretendon gjithashtu se ndaj Serbisë, BE është treguar më tolerant.

“E kemi parë se si Serbia nuk ka respektuar shumë vendime të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe nuk kemi parë një reagim të tillë. Bashkimi Evropian duhet ta shfrytëzojë këtë moment për t’u thënë pesë shteteve anëtare që nuk ka nevojë që Serbia ta njoh Kosovën, në mënyrë që atë ta njoh një shtet tjetër që ende nuk e ka njohur, pra ta nxjerrë aspektin pozitiv duke parë vështirësitë nëpër të cilat Kosova është ndodhur për këtë hap dhe duke bërë unifikimin e politikës së vet të jashtme”, tha Krasniqi.

Kosova gjendet në një pozicion tepër të vështirë për të justifikuar veprimin e saj ndaj BE-së si dhe për t’i bërë të gjithë palët e kënaqura.