Zgjedhjet e 25 Prillit i dhanë Partisë Socialiste mandatin e tretë radhazi, si asnjëherë tjetër në këto 30 vjet. Edhe pse arriti të marrë vetëm 48.68% të votave, skema elektorale e PS-së i dha asaj 74 mandate personale dhe 3 mandate të tjera satelitit të saj, Tom Doshi (PSD).

Për herë të parë në këto zgjedhje mund të vlerësohet jo vetëm forca e partisë, por edhe fuqia e secilit kandidat. Falë sistemit të listave “të hapura”, i cili në fakt tregoi se listat janë realisht të mbyllura, vetëm dy kandidatë të PS arritën të thyejnë listën e kryetarit të partisë dhe të bëhen deputetë. Skema e përdorur nga socialistët ishte e thjeshte. Të ashtuquajturit “senatorë” u vendosën në fund të listës, por si shpërblim ju dha plotfuqishmëria për të qenë “Zot” në qarkun e tyre, të kryenin punësime; të shpërndanin fonde; madje edhe të caktonin sinorët e kandidatëve të tjerë në mënyrë që të mos merrnin më shumë vota se vetë ata. Nga kjo plotfuqishmëri që iu dha Rama, më i votuari në Shqipëri të jetë Taulant Balla, në një nga qarqet ku bandat e përfshira në fushatën e PS patën terren të lirë nga policia dhe prokuroria. Përtej kësaj, gara mes kandidatëve nxorri në pah peshën elektorale dhe mbështetjen reale që shumë prej senatorëve të PS kanë realisht në “pashallëkun” e tyre. Një analizë zgjedhore shifrash, nxjerr në pah humbësit dhe fituesit e këtyre zgjedhjeve.

BERAT

Berati parashikohej si një qark i vështirë për socialistët. Në këtë zonë, në vitin 2017 PS kishte marrë 4 deputetë; LSI 2 dhe PD 1. I konsideruar si një bastion i LSI, por edhe si një zonë ku PD shënonte rritje, Berati ishte një patate e nxehtë për socialistët. I pakënaqur me Blendi Klosin, Rama e renditi jo të katërtin siç ishte teorikisht skema e PS, por të pestin në listë. Ky lloj “internimi politik” e vuri Klosin përpara misionit të vështirë për të siguruar një karrige në parlamentin e ardhshëm duke marrë 5 mandate nga 7 që ka në total qarku. Rruga e dytë e Blendi Klosit ishte të thyente herësin dhe të spostonte një prej kandidatëve të tjerë. Rezultati i 25 Prillit tregoi që Klosi i bëri të dyja, drejtoi PS në marrjen e 5 mandateve dhe mori 12.339 vota personale, mjaftueshëm për të thyer herësin. Njëkohësisht theu edhe mitin e LSI në bastionin e tyre duke bërë që kjo parti të mos marrë asnjë mandat në qarkun e saj kryesor. Me këtë rezultat me vete Klosi e ka shumë të lehtë për t’u përballur me Ramën në analizën post zgjedhore (duke marrë parasysh edhe sasinë minimale të investimeve që qeveria ka bërë në Berat).

DIBËR

Dibra është një nga dy qarqet, ku sistemi uli numrin e deputetëve nga 6 në 5 deputetë.(Qarku tjetër është Gjirokastra). Në këtë qark PS u prezantua pa një senator të deklaruar, por me një listë të fortë kandidatësh. Në krye të saj u vendos Lavdrim Krrashi, një emër i importuar së fundmi nga Londra ku kishte punuar në një prej bashkive të metropolit. Poshtë tij u renditën Aurora Mara, Dionis Imeraj dhe Melazim Damzi. Në këtë qark PS mori 2 mandate dhe do të përfaqësohet në parlament me Krrashin dhe Marën. Krashi është kandidati që mori numrin më të vogël të votave mes 4 kandidatëve të rreshtuar të parët mes socialistëve, por sistemi zgjedhor nuk ja rrezikoi karrigen në parlamentin e ardhshëm.

DURRËS

Durrësi u konsiderua gjerësisht si qarku më i rendësishëm në zgjedhjet e 25 Prillit. Njëkohësisht Durrësi është edhe një kasaphanë e vërtetë administrative, pasi qyteti prej dy vitesh është pa kryetar bashkie dhe ku bandat kriminale (që mbështesin të treja forcat kryesore politike) mund të ndikojnë realisht në rezultat. PS u paraqit në Durrës pa një drejtues të mirëfilltë politik; me Edi Ramën të pozicionuar në fund të listës (më shumë për të mbrojtur Lefter Kokën e riblerë nga LSI); me ministren Milva Ekonomi në krye të listës; me Rrahman Rajën dhe Ilir Ndraxhin të dy të mbështetur nga personazhe të krimit në këtë qark; dhe me “dyshen” Vangjush Dako & Ad Çela që lëvizin të gjitha fijet e qarkut. Kandidati më normal i Durrësit dukej Alban Xhelili, kontabilisti i renditur i dyti në listën e PS. Si për të treguar mekanizmin që ndikoi në rezultatin e Durrësit, Xhelili është kandidati më numrin më të ulët të votave mes deputetëve. I pozicionuar në fund të listës, Nr.8 ndodhej Edi Rama, i cili arriti të marrë 15.871 vota personale. Mjaftueshëm për të thyer herësin në rast se PS do të merrte më pak se 8 mandate. Këto vota personale të Ramës mund të rezultojnë shumë të rëndësishme në rast të ndonjë rinumërimi potencial, pasi mandati i fundit mes PS dhe LSI është ndarë për vetëm 136 vota.

ELBASAN

Që Taulant Balla kishte në dorë i vetëm timonin e qarkut të Elbasanit, kjo nuk ishte ndonjë risi, por që të rezultonte politikani më i votuar në Shqipëri, këtë nuk e kishte parashikuar askush. Rebusi merr zgjidhje nëse ndiqet linja e personave që u përfshinë në vrasjen e ndodhur pak ditë parpara zgjedhjeve, por më së shumti edhe nga ngjarjet kriminale të viteve të fundit. Balla u vendos numri 8 në listë me sfidën për të fituar 8 mandate ose për të thyer herësin. Balla i kreu të dyja. Mori personalisht 21.641 vota ndërsa PS kapi 8 mandate. Një tjetër çudi ishte Saimir Hasalla, i mbështetur nga Aqif Rakipi arriti të marrë 11.528 vota personale. Edhe nëse në Elbasan ndodhte çudia dhe PS merrte më pak se 5 deputetë, Balla dhe Hasalla sërish do ishin deputetë. Tashmë me etiketimin politikani më i votuar në Shqipëri, Taulant Balla është në pritje të shpërblimit nga Rama, kur ky të caktojë postet në qeverinë e ardhshme.

FIER

I konsideruar historikisht si hambari i votave të Partisë Socialiste, Fieri këtë herë ka treguar së gjërat nuk duhet të merren më si të mirëqëna. Ky është qarku i vetëm që PS jo vetëm që nuk ka rritur përfaqësimin në parlament, por përkundrazi, e ka humbur atë. Fieri është edhe qarku ku Rama ndryshoi strategjit. Teksa drejtuesit e qarqeve apo senatorët e PS i renditi në fund të listës me justifikimin që kanë marrë shumë nga PS dhe tani është koha që ata të japin ata për PS, në Fier paraqiti një listë të pluhurosur, me emra të vjetër. Gramoz Ruçi; Petro Koçi; Baftjar Zeqaj; Erjon Braçe; Bashkim Fino përbëjnë gjysmën e listës fituese të PS në Fier. Asnjë prej tyre nuk e rrezikonte mandatin. Riciklimi i politikanëve të vitit 1996 bëri që socialistët në Fier të marrin 9 mandate nga 10 që kanë pasur. Gjithsesi Erion Braçe arriti të vjelë pothuajse 12 mijë vota vetëm në zonën e Divjakës dhe Lushnjes, duke marrë në total 15.622 vota. Gramoz Ruçi theu herësin e partisë duke marrë 10.292 vota personale dhe kursyer vetes turpërimin.

GJIROKASTRA

Nuk munguan surprizat as në Gjirokastër. Edhe pse humbi një mandat për shkak të tkurrjes së popullsisë, PS e Gjirokastrës ruajti numrat që kishte, madje nxorri në pension edhe një figurë të fuqishme politike lokale si Vangjel Tavo. Drejtuesi politik i këtij qarku u caktua Bledi Çuçi, i cili teorikisht ishte poshtë vijës së zjarrit dhe mandati i tij nuk ishte aspak i sigurt. Por Çuçi tejkaloi pritshmëritë duke marrë 11.932 vota personale. Pesha e votave që ka marrë Çuçi bëhet edhe më e madhe në momentin që llogaritet përqindja e votave personale, kundrejt kandidatëve të tjerë. Çuçi ka marrë 58.33% të votave që qytetarët e Gjirokastrës i kanë dhënë personalisht kandidatëve. Një shifër e pakrahasueshme me kandidatët e tjerë në të gjithë Shqipërinë.

KORÇË

Skema e vendosjes së drejtuesit politik të qarkut në fund të listës u zbatua edhe në Korçë. Drejtuesi politik i qarkut, Niko Peleshi, pas një distancimi të lehtë nga Rama u vendos në numrin 6 të listës me detyrimin për të marrë 6 mandate PS ose për të thyer herësin. Në këtë qark Peleshi arriti t’i plotësojë të dyja kushtet, 6 mandatet, por edhe theu herësin me 11.476 vota personale. Rezultati i Korçës mund të konsiderohet si drejt e drejtë dhe rezultati brenda të gjitha parashikimeve të PS.

KUKËS

Qarku me numrin më të ulët të deputetëve në Shqipëri, Kukësi nuk pati asnjë surprizë. PS mori 1 mandat dhe PD 2 mandate. E para e listës, Gerta Duraku ka marrë 5368 vota personale dhe automatikisht mandatin e deputetes.

LEZHË

Në qarkun e Lezhës nuk u zbatua parimi ku drejtuesit politik të qarkut renditet i fundit. Në këtë qark Rama ricikloi Lindita Nikollën, e cila ishte zhdukur nga qarkullimi që nga koha e protestave të studentëve. Nikolla u vendos e para e listës dhe arriti të marrë 5145 vota. Numri 2 i listës, Eduart Ndreca arriti të marrë edhe më shumë, 7250 vota personale.

SHKODËR

Qarku i Shkodrës shënoi edhe kokën e parë të prerë nga skema e aplikuar në PS dhe njëkohësisht i dha një sinjal të fortë Ramës që gaboi rëndë me Ditmir Bushatin. Bushati u la jashtë listës pasi Rama e akuzoi që nuk kishte “punuar tokën”, nuk kishte punuar me elektoratin. Dhe me parimin e lashtë “toka është e atij që e punon”, Rama dërgoi Ilir Beqjen si drejtues politik të qarkut. Por Beqja tregoi që ose nuk e punon aspak tokën, ose e punon tmerrësisht keq atë. Ai mori 3.920 vota personale në një kohë kur dy kandidatët e tjerë Paulin Sterkaj dhe Benet Beci morën respektivisht 7.335 dhe 6.131 vota. Vota shkodrane tregoi edhe një herë që Ilir Beqja nuk “ngjit” në atë qark. Më parë Beqja kishte dështuar edhe në Kukës, por lidhja personale me Ramën bën që ai të jetë sërish në qarqet kryesore të PS.

TIRANË

Kryeqyteti prodhon numrin më të lartë të mandateve dhe sigurisht ka peshën kryesore të zgjedhjeve. Në këtë qark drejtues politik u vendos Erion Veliaj, i cili mori personalisht pjesën kryesore të suksesit apo dështimit të zgjedhjeve. Vota e 25 Prillit i dha të drejtë Veliajt dhe dishepujve të tij, sigurisht edhe me mbështetjen e fuqishme të Aqif Rakipit. Tirana është i vetmi qark ku dy kandidatë socialistë që nuk morën mandat direkt thyen herësin dhe rrëzuan dy kolegët e tyre nga lista fituese. Fatmir Xhafaj u rendit i pari i qarkut duke marrë 16.693 vota personale dhe spostoi Fidel Yllin. Pas tij u rendit Ornaldo Rakipi me 15.658 vota, i cili spostoi Ervin Bushatin. Pikërisht Bushati mund të quhet edhe viktima e parë e skemës. Bashkëkryetari i PS-së së Tiranës dështoi keqazi në votë personale. Po ashtu edhe Pandeli Majko, të cilit ju la të punonte në një zonë të sigurt si njësia 5 dhe arriti të marrë vetëm 8.766 vota personale. Sukses në Tiranë korri edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila renditet e treta në Tiranë me 15.345 vota personale. Edhe zëvendësi i saj, Etjen Xhafaj arriti një rezultat shumë të mirë duke marrë 12.764 vota personale. Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj mund të krenohet me votat e tij personale, 11.274. Dështim personal i Edi Ramës konsiderohet Najada Çomo, e cila ka marrë vetëm 1.577 vota nga 226.842 që ka marrë Partia Socialistë.

VLORË

Qarku i Vlorës është investimi personal i Edi Ramës. Në 8 vjet qeverisje socialiste Vlora ka marrë më shumë investime se çdo qark tjetër i Shqipërisë, por njëkohësisht ka njohur edhe luftën më të fortë brenda llojit. Vetë Rama është investuar personalisht në Vlorë duke u vendosur i fundit i listës dhe duke marrë mbi vete riskun e dështimit. Drejtuesit politik të qarkut, Damian Gjiknuri, i është bërë nderi duke e vendosur në një vend të sigurt në lista. Madje i është lënë edhe dorë e lirë në zgjedhjen e kandidatëve të tjerë: Alket Hyseni u vendos në një vend humbës dhe u detyrua të dorëhiqet; Edmond Leka; Fate Velaj; Vilma Bello dhe Andrea Marto u zëvendësuan me prurje të reja. Gjinuri ka marrë vetëm 6.009 vota personale duke u renditur i treti në këtë qark, pas Edi Ramës dhe Anila Denajt. Ministrja e Financave rezultoi një zgjedhje e suksesshme duke arritur të marrë 6.428 vota personale, edhe pse kandidonte për herë të parë. Vullnet Sinajt, deputetit të Lumit të Vlorës ju ndalua të zbriste në bregdet dhe u detyrua të bënte fushatë vetëm në zonën e tij në Selenicë. Sërish ai arriti të marrë 5.759 vota personale, pothuajse aq sa drejtuesi politik i qarkut. Rezultati i Vlorës e vendos performancën e Gjiknurit më poshtë se sa homologët e tij drejtues të qarqeve të tjera. Kjo e vendos atë në pozitë të pafavorshme në momentin që do të ulet në tryezën e bisedimeve me Edi Ramën dhe do të diskutohet qeveria e re.©Lapsi.al