Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, TASS. Donjeku, Luhansku, Hersoni dhe Zaporizhja janë rajone që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse, prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Ditë më parë, dokumentet për aneksim i kanë miratuar të dyja dhomat e Parlamentit rus. Putin e ka bërë të ditur vendimin për aneksim pas mbajtjes së të ashtuquajturave referendume në këto katër rajoneve. Perëndimi dhe Kievi i kanë konsideruar këto procese si mashtruese dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Sipas marrëveshjeve të nënshkruara javën e kaluar, në mes të Putinit dhe zyrtarëve të mbështetur nga Moska në këto katër rajone, periudha e tranzicionit në territoret e aneksuara – ashtu që të jenë tërësisht të inkorporuara në Rusi – do të zgjasë deri më 1 janar të vitit 2026.

Zgjedhjet lokale në këto territore është paraparë që të mbahen në shtator të vitit 2023. Meqë Rusia nuk i kontrollon plotësisht këto rajone, Kremlini ende nuk i ka vendosur kufijtë e rinj.

Në dokumentet e nënshkruara nga Putini është thënë se rajonet Donjeck dhe Luhansk do të jenë pjesë e Rusisë si Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut. Kufijtë do të përcaktohen sipas situatës së vitit 2014, kur këto dy rajone ukrainase janë marrë me forcë nga separatistët e mbështetur prej Rusisë.

Ukrainasit që jetojnë në territoret e aneksuara do të konsiderohen shtetas rusë, përveç nëse informojnë autoritetet lokale se nuk duan diçka të tillë. Ata kanë një muaj, sipas dokumenteve, që të marrin vendim.

Vendimi i presidentit rus për aneksim të territoreve
Vendimi i Putinit për aneksim të territoreve është konsideruar shkelje e ligjit ndërkombëtar. Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se Uashingtoni “nuk do t’i njohë kurrë territoret e Ukrainës, si diçka tjetër përveç si Ukrainë”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL