Në nisje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit kryeministri, Edi Rama ka publikuar  një spot me protagonist aktorin e njohur Robert Ndrenika. Ndrenika shfaqet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku flet për disa sfida të qeverisë Rama si pandemia apo edhe çështja e Teatrit Kombëtar për të cilin thotë se do të ngrihet aty ku ishte më shumë herë më funksional dhe më i bukur nga sa ishte më parë. Më tej, Robert Ndrenika flet për një mandat tjetër të Partisë Socialiste të cilin e cilëson si “aktin e dytë” të vizionit për një Shqipëri më të mirë.

“Teatrin e ri Kombëtar do të ngrihet aty ku ishte, por shumë herë më funksional dhe më i bukur nga sa ishte. Ne jemi vetëm në gjysmën e rrugëtimit tonë. Vështirësitë që kaluam nuk na thyen dot, përkundrazi na sollën pranë njëri-tjetrit.  Akti ynë i dytë s’ka ardhur ende. E ardhmja jonë është plot shpresë. Akti i dytë është vizioni i i një Shqipërie më të mirë, me ekonomi më të mirë, paga më të larta, një jetë më të mirë për të gjithë ne. Është koha që punët e nisura t’i shpiem deri në fund. Nuk ka kohë për pushim Shqipëria është e ardhmja jonë”, thotë Ndrenika.

Aktori i njohur Robert Ndrenika ishte fillimisht kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa më pas qëndrimi i tij ndryshoi duke përkrahur vendimin e kryeministrit Edi Rama