Vitin e shkuar për çdo vend vakant të hapur në administratën publike ka pasur të paktën 15 aplikime.

 

 

Kjo shifër është më e ulët sesa mesatarja e vitit 2020 kur për çdo vend vakant kishte të paktën 22 të interesuar. Departamenti i Administratës Publike raportoi se në total në vitin 2021 u hapën pak më shumë se 1 mijë vende pune dhe aplikimet ishin 15 mijë.

“Nga 15078 aplikime në total, janë kualifikuar për vijimin e procedurave, pas plotësimit të kritereve për pozicionet e shpallura, 50% e tyre. Numri mesatar i aplikantëve të kualifikuar për pozicion pune ka qenë 7,5” thuhet në raport.

Në finale rezulton që vetëm 85 për qind e vendeve vakante të shpallura nga administrate është arritur që të plotësohet.

Por cila është në fakt mosha e aplikantëve që duan të punësohen në administratë dhe atyre që janë në fakt pjesë e saj dhe kërkojnë ngritje në detyrë?

“Krahas të dhënave të përgjithshme të rekrutimit dhe aplikantëve, me vlerë është edhe kuptueshmëria e disa elementëve të profileve të kandidatëve. Ndaj dhe disa nga treguesit përqëndrohen pikërisht tek mosha e aplikantëve, për kategori të ndryshme pozicionesh. Nga të dhënat vihet re se mosha mesatare e atyre që aplikojnë, pavarësisht llojit të procedurës, ka qenë 31 vjeç, ndërkohë, mosha mesatare e aplikantëve për t’u pranuar në shërbimin civil ka qenë 30 vjeç dhe mosha mesatare e atyre që aplikojnë për ngritje në detyrë ka qenë 38 vjeç.

Ndërkohë, mosha mesatare e atyre të cilët kanë arritur të kalojnë me sukses një procedurë konkurrimi për pranimin në shërbimin civil gjatë vitit 2021 ka qenë 35 vjeç. Krahasuar me moshën mesatare të aplikantëve, rezulton se ata që kanë kaluar me sukses procedurën e konkurrimit kanë një moshë mesatare më të madhe. Ndryshimi midis moshës mesatare të aplikantëve dhe atyre që kanë kaluar me sukses procedurën e pranimit, është relativisht e lartë, që tregon se kandidatët me një përvojë më të madhe janë më të suksesshëm në një procedurë konkurrimi” thuhet në raport.

Një tjetër e dhënë e nxjerrë nga DAP është ajo lidhur me preferencën për t’u punësuar në shtet ku pjesa dominuese janë femra.

“Sa i takon të dhënave gjinore lidhur me përqindjen e aplikimeve, në 3897 aplikime unike, 42% e tyre janë kryer nga meshkuj dhe 58% nga femra” nënvizon DAP.