PSG shikon të ardhmen me më shumë optimizëm. Jo vetëm falë efektit të Messit, i cili dyfishoi shitjet e marketingut, por edhe për shkak të një rritje të kapitalit prej 171 milionë euro. Një operacion i vendosur nga fondi QSI i kryesuar nga Emiri i Katarit, që duhet të lejojë klubin e kryeqytetit francez të kompensojë humbjet e shkaktuara nga kriza shëndetësore. Deficiti i parashikuar për sezonin aktual vlerësohet në 250 milionë, pa llogaritur shitjen e lojtarëve deri në qershor.

Kapitali i kompanisë PSG, rritet kështu në 511.4 milionë euro, siç shpjegohet nga gazeta Le Parisien, e cila kujton se si në vitin 2011, në kohën e kalimit të pronësisë te fondi QSI, shifra kishte arritur në 893 mijë euro. Një diferencë që ilustron mirë kapërcimin në kualitet të klubit, që është bërë një markë botërore, me blerjen e lojtarëve të mëdhenj, së fundmi Messi, i cili, megjithatë, arriti me parametër zero. Argjentinasi sidoqoftë ka një pagë prej rreth 35 milionë në vit, por po gjeneron të ardhura shtesë. Vetëm me shitjen e fanellave, pritet një rritje e arkëtimeve të këtij lloji prej 40%.

Një progres që nuk e ka ngadalësuar dëshirën e fondit QSI për të konsoliduar bazën financiare të kompanisë, duke emetuar aksione të reja me 3.4 € për një shumë globale prej 171 milion. Kjo është rritja e dytë e kapitalit pas asaj, prej 316 milionë të vendosur në 2018, e lidhur me investimin prej 402 milionë për blerjet e Neymar (222) dhe Mbapé (180). Prandaj PSG mund të përballet me sezonin aktual me më shumë qetësi, duke mbajtur nën kontroll një deficit të parashikuar prej 250 milionësh, por që ende mund të zvogëlohet jo vetëm me shitjen e disa lojtarëve, por edhe me rritjen e të ardhurave nga marketingu. Përveç një rruge të suksesshme në Ligën e Kampionëve, të cilën emiri shpreson ta fitojë në vitin e Kupës së Botës në Katar.