PSG mbërrin në Torino me vendin e parë në grup ende të pasigurtë. Por më shumë se 1/8 e Champions League, trajneri francez, Christophe Galtier, tashmë synon fitoren përfundimtare: “Ka pritshmëri të mëdha këtë vit, në Francë, për PSG-në, por edhe për Europën. Skuadra ka në organikë kampionë të mëdhenj, ka përvojë të madhe. Fatkeqësisht, nuk e kemi fituar kurrë këtë trofe kaq prestigjioz, kaq të vështirë për t’u fituar. E ndonjëherë garat janë të çmendura: gjithçka kthehet përmbys në një çast. PSG mund të jetë afër suksesit, le të shpresojmë që ky të jetë viti i duhur”.

Megjithatë, për të ecur përpara duhet një short dashamirës në raundin e dytë. Kështu që për këtë arsye duhet një fitore ndaj Juventus: “Kualifikimi ishte një objektiv i detyrueshëm për ne. Të qenit lider do të jetë shumë i rëndësishëm, shpesh në short mund të jetë vendimtar. Është një objektiv i rëndësishëm, themelor. Ne jemi të fokusuar në këtë qëllim. E dimë që do të jetë e rëndësishme nesër. Duam të jemi të parët për shortin e mëpasshëm. Dhe të mos harrojmë që Juventus, pavarësisht se është eliminuar, duhet të kualifikohet për Europa League. Do të luftojnë me thonj e me dhëmbë për të arritur objektivin. Kanë një histori krenarie e do të luajnë një lojë të këtij niveli. Ka pasur momente të vështira në historinë e të dyja skuadrave, nuk i thamë vetes ‘ta mundim Juventusin sepse tashmë është i mposhtur’. Zbresim në fushë për të fituar dhe për të përfunduar të parët në grup. Fatkeqësisht Juventusi nuk është i kualifikuar”.

ELIMINIMI I JUVENTUS

Për shkaqet e eliminimit të bardhezinjve, Galtier tha: “Thjesht mendoj se Juventusit i munguan lojtarët në dispozicion. Të nevojshëm, nga i para tek i fundit, për këtë lloj ndeshjesh. Këto janë sfida ku mungesat e Pogba dhe Chiesa janë thelbësore. Përqendrimi i mungesave e ka dobësuar Juventusin teknikisht dhe mendërisht. Champions kërkon një angazhim 110%. Juventus pati këtë seri mungesash që në fillim të sezonit dhe kjo është arsyeja kryesore”.