Pas vendimit të Partisë Socialiste për të mos përjashtuar djalin e ish-deputetit Aqif Rakipi, Orlando Rakipi nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka ardhur reagimi i ish-kryedemokratit Lulzim Basha. Ish-kryetari i PD-së thotë se kryeministri Rama është bërë mburoja e non gratave sepse ai nuk qëndron dot në pushtet nëse nuk janë ata. Kujtojmë që javën e shkuar, Departamenti i Thesarit të SHBA-së ka shpallur ‘non grata’ Rakipin për përfshirje në veprimtari kriminale. Një shembull të kësaj deputeti Basha quan edhe masakrën zgjedhore të 25 prillit, me vota të siguruara sipas tij nga krimi i organizuar.
“Edi Rama është mburoja e non gratave sepse pa ta ai nuk qëndron dot në pushtet. Pa ta nuk bën dot afera si ato të inceneratorëve, pa ta nuk ndan dot administratën si plaçkë, pa ta nuk e shpërndan dot buxhetin e shtetit sipas orekseve të të babëziturve që përdor për të shkatërruar zgjedhjet.
Këto fakte të njohura nga çdo shqiptar pasqyrohen edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe motivet e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.
Pyetja që shtrohet sot është: për kë bleu vota Aqif Rakipi dhe krimi i organizuar në 25 prill? Edi Rama e di përgjigjen e kësaj pyetje, prandaj po mbron ortakët e tij në këtë krim zgjedhor, pa të cilët nuk do të ishte në pushtet. Sot, për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë, është më e qartë se kurrë se kush do një Shqipëri të pastër nga korrupsioni dhe politikanët e lidhur me krimin, dhe kush do që asgjë të mos ndryshojë në këtë vend dhe që ata që e kanë shpopulluar dhe varfëruar Shqipërinë, të pasurohen edhe më shumë në kurriz të shumicës së ndershme të shqiptarëve”, shkruan Basha.