Edi Ramës me ç’duket ka filluar ti bezdisen pamjet e Lulzim Bashës rrethuar me qindra mbështetës çdo ditë në qarqe të ndryshme të vendit.

Sado po përpiqet ta shesë fabulën e të përgjegjshmit që nuk organizon tubime falë “armikut të padukshëm”, Rama e kupton më së miri frymën që prodhojnë grumbullimet e Bashës anë e mbanë vendit.

Sado të shesë seriozitetin në këtë kohë fushate, ai e di se njerëzit pas tetë vitesh janë më të njohur me fasadën e tij. Narrativa që po ndjek e pengon të luajë në të njëjtën fushë beteje me Bashën. Entuziazmi që po prodhojnë grumbullimet e këtij të fundit janë emocionet që duhet të ndizen për të krijuar frymën e rotacionit.

Dhe pikërisht sepse i di të gjitha këto, Rama sot nuk u përmbajt në Pogradec dhe tha i ngrysur se nëse ka parti që mund të mbledhë masivisht njerëz, është PS, por një gjë e tillë nuk mund të bëhet në këtë periudhë pandemie.

“Për fat të keq, ka njerëz që iu duket kjo si politikë, apo dhe më keq akoma, që mendojnë se është shprehje xhelozie për turma. Pa diskutim që cdo parti politike, dhe aq më shumë një parti si e jona, mund të mbledh njerëz masivisht, por kjo nuk mund të ndodhë, në kushtet kur vaksinimi është vërtet një armë për armikun e padukshëm, por nëse nuk shoqërohet me distancim, vështirësohet”, u shpreh Rama.