Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar për rritjen e pagave të pedagogëve. Pas protestës së pedagogëve, Kushi ka dalë para mediave dhe ka thënë 7% e rritjes së pagës do të mbulohej nga buxheti i shtetit. Përkundër kërkesës së tyre për një rritje të pagës me 50%, Kushi tha se rritja do të ishte 7% nga buxheti i shtetit dhe në total mund të shkonte deri në 15%, ku pjesa e mbetur do të mbulohej nga universitetet.

“Paga e pedagogëve do të rritet me 15%, 7% e tyre do jetë nga buxheti i shtetit. Mbështetja e qeverisë shqiptare për univresiteteve nuk është vetëm rritja e pagave. Duke nisur që nga fondet për kërkim shkencor, infrastrukturës për të cilat ne e kemi rritur ndjeshëm buxhetin. Ne kemi dyfishuar me 79 milionë lekë për të mbuluar kërkimin shkencor që bëjnë pegadogët. Për këtë ata paguhen përtej pagës bazë”-tha Kushi.

Ajo solli në vëmendje se ndryshe nga mësuesit apo zjarrfikësit, paga që marrin në institucionet arsimore nuk është i vetmi burim të të ardhurave që ata kanë.

“Mbështetja jonë për universitet do të jetë edhe më e madhe. Pedagogët të ardhurat i sigurojnë jo vetëm nga paga bazë por kanë edhe shumë mundësi të tjera, ndryshe nga mësuesit. Kanë mundësi të tjera, jo vetëm nga buxheti i shtetit por edhe nga programet e financuara nga BE.”