Një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha dëshmoi në prokurori për 3 orë për protestën e 8 janarit përpara selisë së Partisë Demokratike, sot radhën për t’u marrë në pyetje e ka kryedemokrati Lulzim Basha. Basha, që nuk ka konfirmuar nëse do të jetë i pranishëm, është thirrur për t’u paraqitur në prokurorinë e Tiranës në orën 11:00, ndërsa pas tij do të vijë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në orën 12:00.

Një ditë më parë, për 2 orë e 40 minuta ish-kryeministri Sali Berisha qëndroi përballë prokurorëve dhe iu tregoi versionin e tij për protestën ku mbështetësit e Berishës u përplasën me mbështetësit e Bashës. Pas daljes nga prokuroria, lideri historik i demokratëve deklaroi se kishte informuar hetuesit se në seli ka pasur njerëz të armatosur dhe armët u larguan me makinën e kreut të Partisë Demokratike. Ai akuzoi sërish Bashën si peng të Ramës, teksa paralajmëroi edhe një herë protesta të fuqishme.