Ish-kryeministri Fatos Nano u nda nga jeta ditën e sotme. Ky i fundit prej një muaji qëndronte i shtruar në reanimacionin e një spitali privat, ndërsa vuante nga probleme me mushkërinë, të cilat i morën dhe jetën. Po kush ishte Fatos Nano?
Jetëshkrimi
I lindur në 16 shtator 1952 në Tiranë, ai u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974 në kryeqytet dhe kulmin e karrierës së tij përpara se të rrëzohej regjimi komunist e pati 10 vjet më vonë kur u emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën varësinë e ish-gruas së diktatorit, Nexhimije Hoxha.
Ai ishte pjesë aktive e zhvillimeve të vrullshme politike që ndodhën në Shqipëri si edhe në çdo vend tjetër të bllokut të Lindjes. Ndërkohë, i shpejtë ishte rrugëtimi i tij dhe ngritja në politikë. Kujtojmë se në dhjetor 1990 u emërua sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e një muaj më vonë zv.kryeministër në qeverinë e Adil Çarçanit. Në fund të shkurtit 1991, Ramiz Alia i besoi Nanos postin e kryeministrit.
Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Nano u mandatua kryeministër, detyrë të cilën e mbajti për disa javë, kur dha dorëheqjen për shkak të grevave që kishin nisur në gjithë vendin.
Meritë e padiskutueshme e Nanos në atë periudhë ishte transformimi i PS-së nga një parti e trashëguar nga regjimi komunist në një parti social-demokrate me orientim perëndimor.
Ardhja e demokratëve në pushtet në vitin 1992, solli një periudhë të vështirë për Fatos Nanon. Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua në zyrën e Prokurorit, dhe u akuzua për “shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmën italiane” dhe 9 muaj më vonë u dënua me 12 vite burg.
Megjithatë trazirat e vitit 1997 sollën lirimin e tij nga burgu dhe rikthimin aty ku të gjithë socialistët e donin: në krye të PS-së. Tre muaj pasi kishte dalë nga burgu ai udhëhoqi socialistët drejt rikthimit në pushtet, të cilin socialistët e mbajtën për 8 vite, por Fatos Nano pati sërish ulje-ngritjet e tij politike.
Meritë e Nanos, e pranuar pjesërisht edhe nga kritikët, ishte rikthimi i normaltitet në vendin e shkatërruar ekonomikisht si pasojë e firmave piramidale.
E megjithatë postin e kryeministrit e mbajti për një vit, kur vendosi të jepte dorëheqjen në 28 shtator 1998, pak më shumë se dy javë pas vrasjes së Azem Hajdarit.
U largua nga Qeveria, por vijoi të mbante kontrollin e partisë, pavarësisht dallgëve që shoqëruan socialistët në 8 vite.
U rikthye edhe njëherë tjetër kryeministër në 31 korrik 2002 deri në humbjen e zgjedhjeve në qershor 2005, kur u detyrua t’i linte pushtetin kundërshtarit të tij që e kishte burgosur, Sali Berisha.
Prej atij viti ditët i jetonte mes Vjenës ku qëndronte me familjen dhe Tiranës ku vinte sa herë diskutohej se kush do të ishte Presidenti i ri i vendit.
Dëshira e tij për t’u bërë kreu i shtetit nuk iu plotësua as në vitin 2007 kur vendin ia mori Bamir Topi dhe as në vitin 2012 kur Berisha megjithëse e afroi, në fund zgjodhi të ndjerin Bujar Nishani. Jeta e tij familjare ka qenë e trazuar po aq sa ajo politike. Fillimisht konsumoi një martesë 25-vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën ka dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën.
Në vitin 2002, pak muaj pas divorcit ai njoftoi martesën me Xhoanën. I konsideruar si figurë liberale brenda të majtës shqiptare ai e shndërroi PS-në nga një parti bolshevike në një formacion të së majtës progresive. Kujtojmë se Fatos Nano ishte i vetmi nga politikanët e tranzicionit që ka dhënë dorëheqjen nga politika pas humbjes së zgjedhjeve në 2005.