Sali Berisha ka pritur në një takim ambasadorin e Çekisë në Tiranë, Karel Urban.

Me një shënim në Facebook, Berisha shkruan se me të u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon.

“Të dashur miq, sot prita në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Tiranë. Përfitova nga rasti te falënderoj vendin dhe kombin e tij mik për ndihmën e çmuar dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në dekada.

Gjatë këtij takimi diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon. Theksova në këtë takim se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet parti e vlerave dhe integrimeve europiane dhe euroatllantike. Takimi ishte i hapur.” – shkroi në Facebook Berisha.

Takimi i sotëm i Berishës me ambasadorin çek mund të vijë si antitezë për tezën e kundërshtarëve të Berishës se ai është i “djegur” me ndërkombëtarët. Dega pas të cilës kapen këta zëra anti-Berishë është non grata amerikane.

Nëse një ambasador i një shteti europain aleat me SHBA-në nuk kompleksohet të takohet me Sali Berishën, kjo mund të shërbejë si indikator se në të ardhmen, nëse Berisha siguron drejtimin e PD-së dhe konsolidimin e saj, edhe të tjerë faktorë ndërkombëtarë mund të jenë të hapur për bashkëpunim me të.

Kësaj rruge i ka mëshuar fort Berisha, duke thënë javët e fundit se edhe në vitin 1998 ai kishte të gjithë faktorin ndërkombëtar kundër, por ia arriti të sillte PD-në në pushtet në vitin 2005.