Kupa e katërmbëdhjetë e Champions është aq e bukur sa Florentino Perez mund të harrojë edhe refuzimin e Kylian Mbappé: “Sonte ai nuk ekziston, tashmë është harruar”. Fjalët e presidentit të Real Madridit, pas finales së fituar ndaj Liverpool, tingëllojnë si një vendim dhe si një hakmarrje pas jo-së së sulmuesit francez, i cili pas një interesimi të gjatë të spanjollëve më në fund zgjodhi të qëndrojë te Paris Saint-Germain duke pranuar rinovimin e kontratës me shifra të jashtëzakonshme.

Nëse Perez mbyll kapitullin Mbappe duke shtuar se “ne patëm një sezon perfekt dhe do të vazhdojmë të punojmë për të rekrutuar lojtarët më të mirë”, nëna e kampionit francez përfiton nga triumfi i Realit për të ‘shpjeguar’ – indirekt – zgjedhjen e djalit të saj. Fayza Lamarit, në fakt, i ka pëlqyer postimi i një gazetari të L’Equipe, i cili në minutën e 90 të finales në Paris, shkruante: “Pas një Liga dhe një Champions League, çfarë mund të bënte më shumë Mbappé? Edhe duke shënuar 70 gola ai nuk mund të përmirësojë Realin. Te PSG, nga ana tjetër, ai mund të shkruajë histori, ndoshta që në sezonin e ardhshëm”.