Momente frike të vërtetë për Felipe Melo. Lojtari u sulmua dhe u grabit nga hajdutë të armatosur pas ndeshjes mes Fluminenses së tij dhe Corinthians. Me të ishin gruaja, dy fëmijët dhe një shok. Kriminelët janë larguar me makinën e mesfushorit, duke marrë edhe sende të ndryshme me vlerë.

39-vjeçari po largohej nga Rio De Zhaneiro dhe po shkonte për në Paraty, ku pritej të kalonte disa ditë relaksi me familjen e tij. Lojtari, siç tha zyrtari i tij për shtyp, ishte në timonin e Mercedes GLE 53 të tij dhe me të ishte gruaja, dy fëmijët dhe një mik. Hajdutët e kanë pritur Felipe Melo në Avenida Brasil dhe sapo kanë pikasur makinën e kanë bllokuar. Kriminelët, që ishin të armatosur, i kanë urdhëruar të dalin jashtë personat që ndodheshin në makinë, ndërsa janë larguar me makinën e mesfushorit, duke marrë edhe sende të ndryshme me vlerë.

Një sulm i vërtetë, pothuajse me siguri i planifikuar. Kriminelët, sipas të gjitha gjasave, i dinin lëvizjet e lojtarit dhe familjes së tij. Fatmirësisht të gjithë janë mirë dhe kanë marrë ndihmë nga një çift që ka kuptuar situatën delikate të tyre. Mesfushori dhe familja e tij pas frikës së madhe janë kthyer në shtëpi në Barra da Tijuca.

Felipe Melo ishte larguar nga Maracana pak minuta më parë. Fluminense e tij në fakt ishte përballur me Corinthians për javën e 15-të të kampionatit. Ish-lojtari i Fiorentinës, Juventusit dhe Interit ka hyrë në fushë në minutën e 32 të pjesës së dytë. Trajneri Fernando Diniz e aktivizoi në vend të Arias, kur skuadra tashmë po fitonte 3-0. Në fund, Fluminense mori tre pikët falë një suksesi 4-0, të nënshkruar nga Carvalho, Fred dhe dygolëshi i Canos.

Një ditë pozitive për klubin dhe për Melo, që u mbyll me një frikë të madhe. Nuk është hera e parë që braziliani pëson grabitje. Disa muaj më parë, hajdutët i kishin grabitur një nga shtëpitë në Brazil.