Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden emëroi diplomatin e karrierës në Departamentin e Shtetit, Jeffrey M. Hovenier si ambasador të ardhshëm në Kosovë, por pritet miratimi në Senat. Jeffrey M. Hovenier aktualisht shërben si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuata në Ankara të Turqisë.

Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë. Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë. Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Zoti Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari. Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.