Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të plotë në kuadër të finales së madhe evropiane mes Romës dhe Feynordit që zhvillohet në stadiumin “Air Albania”. Kjo është konfirmuar edhe nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i policisë, Albert Dervishaj i cili në një konferencë për shtyp ka bërë edhe bilancin e ngjarjes së mbrëmshme. Përveç bilancit të dhunës, policia u ka bërë thirrje marketeve e lokaleve që sot të mos shesin alkool me gota apo shishe qelqi pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike. Dervishaj u shpreh se kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh të cilët mund të jenë nën efektin e alkoolit.

Dervishaj apeloi dhe adresoi një thirrje për tifozët italianë dhe holandezë, që të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe të mos konfrontohen me punonjësit e Policisë, përndryshe ligji do të zbatohet me rigorozitet.