84878577
Policia e Tiranës ndërmori një aksion të befasishëm në orët e vona të mbrëmjes së shkuar në vilën Gjuta, pranë Liceut Artistik. Qëllimi i aksionit ishte arrestimi i Vladimir Gjutës, i cili është shpallur në kërkim si organizator i hedhjes në erë me tritol të farmacisë së babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Policia ka kontrolluar të gjithë kompleksin, por nuk ka mundur të gjejë të kërkuarin. Nuk është gjetur as ndonjë provë që mund të provonte praninë e tij në vilë dhe as ndonjë send i paligjshëm. Burimejozyrtare të policisë bëjnë me dije se aksioni u krye pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative se Vladimir Gjuta gjendej në vilë. Gjithcka ka rezultuar një alarm fals, por aksioni vuri në panik klientët e lokalit. Vladimir Gjuta dyshohet se e organizoi sulmin ndaj Tahirit në bashkëpunim me nipin e tij Baftjar Bruka, 25 vjeç, i cili kërkohet edhe në Itali si drejtues i një celule të rekrutimit të xhihadistëve. 35 –vjeçari Gjuta dyshohet se e organizoi sulmin me tritol pas konflikteve të vazhdueshme me policinë. Familja Gjuta u përball me policinë gjatë vitit 2014 gjatë një kontrolli të kësaj të fundit në kazinonë e vilës Gjuta. Po kështu, Vladimir Gjuta ishte ndaluar dhe kontrolluar disa herë nga forcat speciale të policisë, në mes të Tiranës, veprime këto që ai besohet se i ka konsideruar si të qëllimshme. Farmacia e babait të ministrit të Brendshëm u hodh në erë më 10 shkurt 2015.