Me debate të shumta ka nisur seanca e sotme e Kuvendit dhe  “mollë e sherrit” është bërë reduktimi i kohës së diskutimit nga deputetët. Gjithçka startoi kur kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla u shpreh se seanca e sotme do të jetë 360 minuta, nga të cilat 190 minuta i ka shumica në dispozicion për të folur dhe 113 PD, ndërsa pjesa tjetër i mbetet dy grupeve të tjera dhe deputetëve të pavarur. Opozita ka dalë kundër vendimit të mazhorancës për të reduktuar kohën me 10 minuta për çdo deputet, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. në nisje të seancës

“Mos na mohoni të drejtën e fjalës. Nuk ka ndodhur kurrë që të gjithë deputetët e opozitës të flasin vetëm 100 minuta. Rregullorja na ka dhënë të drejtën që të flasim 600 minuta. Opozitës nuk mund t’i mbyllet goja në një Parlament të një vendi minimumi normal. Ju keni detyrimin që të thoni se kush është arsyeja që keni marrë këtë vendim. Doni t’i hiqni të drejtën e fjalës opozitës? Jeni aty jo thjesht për t’u bërë transmetuese e vendimeve të Konferencës së Kryetarëve”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla tha se Kuvendi do të zbatojë rregulloren e vendosur me konsensus në Konferencën e Kryetarëve, që diskutimet të bëhen me kohë të kufizuar deri në momentin që të gjithë parlamentarët të jenë të vaksinuar. Pas diskutimeve me tone të ashpra të deputetëve, kryeparlamentarja Nikolla vijoi me rendin e ditës, por mbi zërin e saj dëgjoheshin sërish replikat nga ana e deputetëve.