Kuorumi për mbledhjen e Gjykatës së Lartë është plotësuar me dekretimin nga ana e presidentit Ilir Meta të Sokol Ngresit. Ngresi është përzgjedhur për t’u emëruar në këtë gjykatë për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative përmes procedurës së ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Me emërimin e tij Gjykata e Lartë bëhet me 13 anëtarë, nga 19 që e parashikon Kushtetuta.

”Gjykata e Lartë, pas 5-vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj,  nga sot mundet të ndryshojë/unifikojë praktikën gjyqësore. 

Nga sot ajo rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin dhe autoritetin e saj sublim për çështje që kanënevojë për kuptimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, duke i siguruar kështu të gjithë sistemit gjyqësor zhvillimin/ndryshimin e praktikës gjyqësore, unifikimin e jurisprudencës, dhe një qëndrim uniform lidhur me çështje të ndryshme juridike në funksion të interesit publik, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në dhënien e drejtësisë”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e presidencës.