Agon
Reperi i grupit Tingulli 3nt, Agon Sylejmani, ka qenë viktimë e një plaçkitje të armatosur në rrugën e kombit.

Sipas informacioneve që i posedon Telegrafi, plaçkitja e armatosur ndaj reperit të Tingulli 3nt ka ndodhur në rrugën e kombit, më saktësisht në Milot.

Hip hop ylli i Babastars ka qenë vetëm me bashkëshorten e tij, dhe plaçkitësit ia kanë marrë veturën, të gjitha gjësendet me vlerë dhe dokumentacionin, të gjitha këto nën kërcënimin e armëve, transmeton Telegrafi.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, por me vonesë, pasi që plaçkitësit janë larguar në drejtim të panjohur.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin edhe menaxheri i Babastars, Dekorim Sahiti, i cili po ashtu tha se reperi dhe bashkëshortja e tij janë shëndoshë e mirë.

Tashmë reperi është në gjendje të mirë dhe të sigurtë, por është e çuditshme se si mund të ndodhin këto ngjarje në rrugën që bashkon Shqipërinë dhe Kosovën, e ku siguria është ende jo në nivel.
Ky është një prej rasteve më të rënda të plaçkitjeve që qytetarët e Kosovës kanë përjetuar kohëve të fundit, kurse tashmë edhe fytyrat publike po bëhen viktimë të pasigurisë në rrugët shqiptare.