Pfizer ka thënë se pilula e saj eksperimentale antivirale për COVID-19 ul shkallët e rrezikut të shtrimit në spital dhe vdekjes me gati 90 për qind, ndërsa prodhuesit e barnave garojnë për të prodhuar ilaçe të lehta për t’u përdorur kundër koronavirusit.

Gjigandi farmaceutik publikoi të premten rezultatet paraprake të studimit të tij me 775 të rritur. Pacientët që merrnin ilaçin e kompanisë së bashku me një tjetër antiviral, u zbulua se kishin pasur një reduktim prej 89 për qind në shkallën e tyre të kombinuar të shtrimit në spital ose vdekjes pas një muaji.

Më pak se 1 përqind e pacientëve që merrnin ilaçin duhej të shtroheshin në spital dhe askush nuk vdiq. Në grupin e krahasimit, 7 për qind u shtruan në spital dhe pati shtatë vdekje.

“Ne shpresonim që të kishim diçka të jashtëzakonshme, por është e rrallë që të shihni ilaçe të shkëlqyera me pothuajse 90 për qind efikasitet dhe 100 për qind mbrojtje ndaj vdekjes,” tha për agjencinë e lajmeve Associated Press Mikael Dolsten, shefi shkencor i Pfizer

Pjesëmarrësit e studimit ishin të pavaksinuar, me COVID-19 të butë deri në mesatar dhe u konsideruan me rrezik të lartë për shtrimin në spital për shkak të problemeve shëndetësore si obeziteti, diabeti ose sëmundjet e zemrës. Trajtimi filloi brenda tre deri në pesë ditë nga simptomat fillestare dhe zgjati për pesë ditë.

Nga ata që iu dha ilaçi Pfizer brenda tre ditëve nga fillimi i simptomave, 0.8 përqind u shtruan në spital dhe asnjë nuk kishte vdekur 28 ditë pas trajtimit.

Pfizer raportoi pak detaje mbi efektet anësore, por tha se ato ishin të lehta dhe nivelet e problemeve ishin të ngjashme midis grupeve në rreth 20 përqind.