Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik akuzuan mazhorancën se po tenton që ta miratojë e vetme reformën zgjedhore. Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike tha se mazhoranca nuk ka dhënë asnjë përgjigje për propozimet e bëra nga opozita sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

“Sot u mblodh Këshilli Politik. Është objektiv i opozitës që pa humbur kohë kjo reformë të përmbyllet dhe parlamenti ta miratojë pa ndryshime. Duhet të jetë e qartë cili është vullneti i mazhorancës në lidhje me propozimet e opozitës. Ne kemi pasur drafte konkrete, por kemi pasur vetëm refuzim nga mazhornaca.

Deklaratat e Gjiknurit tregojnë mungesë vullneti politik. Opozita kërkon shprehjen e qartë nga mazhoranca se cili është qëndrimi i saj për çështjet që shton OSBE-ODIHR dhe që ne kemi bërë propozime konkrete dhe që nga pala tjetër ka pasur vetëm refuzim. Loja e mazhorancës është ta tërheqë zvarrë reformën me çështje shtesë” – tha Bylykbashi.

Ndërsa sipas përfaqësuesit të LSI-së, Petrit Vasili, mazhoranca dëshiron që ta miratojnë reformën në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus pavarësisht kushteve.

“Mazhoranca duhet të heqë dorë nga miratimi në mënyrë të njëanshme reformën, apo me vota të blera siç e ka zakon. Kjo do të thellonte krizën politike. Kjo do krijonte qorrsokak për vendin. Kjo është një reformë nul nëse miratohet pa opozitën. Ky do të ishte një kthim prapa në krizën politike” – tha Vasili.