carlo bollino sali berisha_0

Konflikti ka mbërritur në kulm. Pasi me një status të stërgjatë, Sali Berisha i cili në një shënim të vetëm ka marrë nëpër gojë jo vetëm Ramën por edhe “djemtë dhe vajzat e ish bllokmeneve Bushatit, Gjonit, Kolekës, Gegpriftit, Fugës, Beqës, Pezës, Shamkut, Stefanit” e duke mos u mjaftuar me këta nuk ka kursyer as ish fëmijët e udhëheqësve komunistë të burgosur, Spartak Ngjelën, Fatos Lubonjën dhe Bashkim Shehun, atij i është përgjigjur shefi i gazetës “Shqiptarja.com” Carlo Bollinino.

Nga lartësia e papunësisë të tij, që i lejon një proliksitet gjithnjë e më maramendës, Berisha e akuzonte Bollinon, se po përfiton nga prokurimet publike të mikut të vet Edi Rama. Berisha thoshte se me hapjen e bunkerit e shtabit të përgjithshëm komunist, Rama kishte si qëllim  “rehabilitimin e atit të tij shpirtëror, me inagurimin pak muaj më parë, të muzeut shtetëror të diktatorit Hoxha, në bunkerin e Shtabit të Përgjithshëm, për kohë lufte. Në nismën e muzeut, krahas realizimit të qëllimit politik, anakronik e pervers, Rama ndau me Bolinon e tij, shuma të mëdha të takspaguesve shqiptarë”. Të njëjtën akuzë Berisha e përdori edhe për inaugurimin  e shtëpisë me gjethe: “Asgjë nuk dihet për këto fonde, cili është Bolinua që do t’i ndajë ato me Ramën, le ta shohim. Dihet vetëm se në fjalën e tij Rama njoftoi për vjedhjen tjetër të rradhës që ka përgatitur, atë me muzeun e “Vrimave”, siç quajti ai sistemin e tuneleve nëntokësore të Tiranës”.

Për këto përçartje të zakonshme të doktorit të vetmit nga njerëzit e përmendur që kanë reaguar, kanë qenë botuesit e “Shqiptarja.com” Alba Maltezi dhe Carlo Bollino. Fillimisht dje Malltezi në një status në Facebook, theksonte se Berisha ngjan në lok dhe në moshë me të atin e saj, por ajo është krenare që babai i saj nuk ka gënjyer kurrë e nuk ka shpifur për kërkënd.

Ndërsa këtë të dielë penën e përgjigjes e ka marrë vetë Bollino i cili ka shkruar për Shqiptarja.com. Ai dhe argumentuar se nuk e njeh praktikën e përfitimit prej parave publike, dhe se është një model i kundërt nga ai i TV Klanit që sponsorizonte Berisha dhe i mediave të tjera që sot janë pranë opozitës dhe financohen nga Basha. Në shkrimin e tij të gjatë Bollino i përmend Berishës mardhënien e tyre çerekshekullore kur Berisha i vinte pas Gazideden dhe gazetarë killera duke pretenduar se nuk është përfaqësuesi tipik i botuesit që përfiton nga paratë publike dhe nga miku i tij kryeministër. Bollino reket të bëjë një portret të tij të ndryshëm nga ai i Aleksandër Frangajt dhe në fund e mbyll shkrimin e tij me këtë paragraf:“Ja, ky është ndryshimi i madh: Unë dua të punoj në këtë vend në respekt të ligjit, duke u përpjekur t’i kthej Shqipërisë atë që më jep. Juve as ju shkon nëpër mend se një gjë e tillë mund të ndodhë.

Po ju zbuloj dy gjëra që ndoshta për ju do të jenë shokuese: Mund të punosh dhe të bësh gjëra të bukura edhe pa vjedhur. Dhe mund të jetosh i lumtur (dhe i qetë edhe pa u bërë miliarder”.