Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka zhvilluar një takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit të policisë, Samedin Mehmeti dhe u.d Kryeshefit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës, Naser Krasniqi në kuadër të përgatitijeve për organizimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Në emër të KQZ-së, Daka çmoi lartë angazhimin e Policisë së Kosovës në aspektin e sigurisë në proceset e kaluara zgjedhore, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të zbatimit të ligjit.

Në anën tjetër, Mehmeti tha se policia, në kuadër të përgjegjësive institucionale dhe ligjore do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të realizimit me sukses të detyrave për procesin zgjedhor.

Gjithashtu, Mehmeti dhe Krasniqi shtruan edhe çështjen e respektimit të masave anti-COVID gjatë fushatës zgjedhore.

Në lidhje me këtë çështje, subjektet politike u apeluan nga autoritetet ligjzbatuese që të respektojnë masat ndaj koronavirusit në mënyrë që të kujdesen për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Aktualisht, KQZ njofton se së bashku me policinë janë në fazën e përgatitjes së planit operacional të sigurisë për zgjedhjet e 14 shkurtit, transmeton Klan Kosova