gdfgdfgdf_0

Sikur të mos mjaftonte prezenca në protestën e opozitës, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri u ngjit edhe në tribunë, prej nga ku hodhi akuza për mazhorancën. Një akt ky i pastër që tregon përçarjen mes radhëve të deputetëve të partisë çame. Tahiri e ka krahasuar këtë mazhorancë me sistemin komunist që drejtoi vendin për 45 vjet.

”I provuat për 45 vjet me radhë kemi dhe dy vjet që i provuam na çuan prapë si para 90-tës prandaj nuk ka rëndësi të majtë e të djahtë ekonomia ka vetëm një ngjyrë dhe ekonominë e keni parë si e kanë katandisur, prandaj ju bëj thirrje të bashkohemi bashkë. Rroftë Vlora, rroftë Shqipëria, rroftë Çamëria”,- tha Tahiri.

Sinjalet e përçarjes së PDIU-së, Tahiri i dha një ditë pasi Shpëtim Idrizi zyrtarizoi koalicionin me Edi Ramën. Ai tha se do të konsultohet me bazën përpara se të marrë një vendim. Por shfaqja e tij krah Lulzim Bashës sot në Vlorë është faktikisht një shkëputje nga PDIU.

Pas këtij vendimi të Tahirit, mbetet për t’u parë qëndrimi i deputetit tjetër Tahiri Muhedini, i cili po ashtu ka shfaqur rezerva për vendimin e Idrizit që të braktiste opozitën për t’u bashkuar me Ramën. Në votimin e fundit në Kuvend, Rama arriti të miratonte ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pa u ndjerë mungesa e votave të Tom Doshit dhe Mark Frrokut. Vota e Shpëtim Idrizit, Aqif Rakipit dhe Omer Manos mjaftuan që të sigurohej shumica  e kërkuar për këto ndryshime. Për momentin nuk ka një reagim zyrtar nga PDIU për këtë lëvizje të deputetit Dashamir Tahiri.