“Kush do të na shikojë mirë e falenderojmë, kush do të na shikojë keq prapë e falenderojmë”. Sokol Cikalleshi autori i golit spektakolar në humbjen 3-1 në Pragë e nis menjëherë në sulm edhe në daljen për median pas ndeshjes. Qendërsulmuesit nuk i kanë pëlqyer kritikat për fazën ofensive të skuadrës, pas barazimit pa ngjyrë në Kardif kundër Uellsit: “Edhe ata skeptikët që flasin për sulmin e Kombëtares, dua ti them që duhet të jemi të gjithë bashkë për ta ndihmuar Kombëtaren dhe jo të krijojnë disbalancë. Nuk mund ta ndajmë ekipin. Duhet të mbrojmë të gjithë dhe të sulmojmë të gjithë. Nuk jemi as Anglia as Italia. Nuk kemi as Cristiano Ronaldon as Sergio Ramos. Duhet të jemi të gjithë bashkë”.

Në vija të përgjithshme Cikalleshi ka mbetur i kënaqur nga performanca, ndërsa konteston golin e tretë të Cekisë, që ka ardhur nga një faull që duhet të ishte akorduar në favor të Lenjanit dhe jo për cekët: “Rezultati është i rëndësishëm, trajneri ka pasur gjëra në kokën e tij për të sqaruar, tani është i qartë si do të luajmë në shtator. Prodhuam më shumë volum, shënuam një gol, mund të shënonim më shumë. Goli i tretë ishte aksidental sepse ishte faull për ne”, përfundoi Cikalleshi.