“Patëm edhe fat që kaluam shpejt në avantazh. Të katër ndeshjet e fazës së fundit, duhet t’i fitonim. Skuadra ka luajtur mirë. Ka pasur momente të mira, por ka pasur edhe situata të tilla si sot, që duhet të menaxhosh mënyrën e lojës. Jemi skuadër që me kundërshtarët jemi superiorë. Ndaj Partizanit kemi bilanc shumë pozitiv, ashtu si dhe me Vllazninë, Teutën”. Shpëtim Duro është i kënaqur nga fitorja 2-0 ndaj Kukësit dhe bën llogaritë e parakalimit ndaj kryesuesve, duke konsideruar bilancet pozitive në ndeshjet direkte.

Ajo që në fakt kurbinasit kanë problem janë skuadrat e vogla: “I qaj pikët që kemi lënë me Kastriotin, Skënderbeun dhe Apoloninë, kemi lënë afro 12 pikë. Kjo është arsye pse e vuaj Nuabuezen. Të kishte qenë 100% ai t’i zgjidhte këto ndeshje. Harmon e ka justifikuar veten, por nuk është finalizues si Nuabueze”.

E duke u ndalur tek amerikani, aventura e tij në Lac ka përfunduar. Vetëm një vit pasi bardhezinjtë mendonin ta transferonin për shumën e 500 mijë euro, sulmuesi në një sezon për tu harruar lihet i lirë për shkak të problemeve shëndetësore: “Nuabueze nuk është më pjesë e jona. Ka prerë biletën për në Amerikë, nuk është pjesë e skuadrës. Nëse do të ishte ai, jam i bindur që do të shënonte 20 gola, ka qenë një minus i madh mos prezenca e Nuabuezes në kampionat” u limitua të thotë Duro.

Tekniku ndërkohë nuk e ka fshehur se është befasuar kur penalltinë e ka goditur Lushkja, që në fakt ka qenë me fat sepse topi është grushtuar nga Xhika, përpara se ti kthehej sërisht në këmbë për të cluruar Duron në pankinë me golin e avantazhit: “Do e gjuante Mazrekaj, u çudita dhe unë, por nuk pranoi vetë, se kishte probleme këmbën. Në momentin që u dha penalltia tha nuk e godas, se kam këmbën”, përfundoi numri 1 i pankinës kurbinase.