Partia Demokratike do të mbledhë këtë të hënë grupin e saj parlamentar pak para fillimit të sesionit të dytë të legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Shqipërisë. Kryedemokrati Lulzim Basha i ka dërguar ditën e sotme një shkresë Kuvendit në lidhje me ndryshimet e bëra në strukturat e partisë pas përplasjeve të brendshme.

Në shkresë bëhet me dije se deputetët Albana Vokshi, Flamur Noka, Luan Baci dhe Edmond Spaho, me vendim të grupit parlamentar, pas masave disiplinore të marra nga Kryesia e Partisë Demokratike, nuk janë më pjesë e këtij grupi. Përmes shkresës, Basha gjithashtu ka vënë në dijeni Kuvendin për zgjedhjen e Enkelejd Alibeajt në postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD duke zëvendësuar në këtë post Alfred Rrushajn.

Basha vë në dijeni parlamentin edhe për emërimin e zëvendësit të ri të Lindita Nikollës në krahun e opozitës. Në këtë post, në vend të Alibeajt emërohet Agron Gjekmarkaj.