Përmes një deklarate shpërndarë mediave, Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos e rregjistrojë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 Prillit.

PD e konsideron Tom Doshin subjekt të ligjit të dekriminalizimit dhe sipas saj dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.

“Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

PD i bën thirrje KQZ të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.” thuhet në njoftim. Më poshtë, neni 2 i ligjit pwr dekriminalizimin:

Neni 2

Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik
1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar
bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion
me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të
Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar
me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së
Shqipërisë, për:
a) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas neneve 73, 74,
75, 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 86, 87, 88 paragrafi i dytë, 89/a, 100, 101, 102,
102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 109/c, 110/a, 111, 114, 128/b, 135, 136, 140, 141,
143/a, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 230, 230/a, 230/b, 230/ç, 231, 232, 232/a,
232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 278 paragrafin e parë, të pestë e të gjashtë, 278/a, 282/a, 283,
283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të parashikuar në këtë paragraf, 333, 333/a
e 334 të Kodit Penal;
b) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas neneve 110/c,
244, 245, 248, 248/a, 259, 260, 319, 319/ç, apo në fushën e zgjedhjeve, të parashikuar në
Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, të
Kodit Penal;
c) kryerjen e një krimi, që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, për të
cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim;
ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj
pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
2. Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave:
a) që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti
anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë
sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një
prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale, të
parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni. Për personat që plotësojnë kushtet e këtij
paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të
këtij ligji;
b) që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë,
Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe
“c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të
shtetit përkatës.