Teksa Partia Demokratike ka lënë si zonë të lirë 3 bashki të jugut të vendit për aleatin e saj, kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule ka zgjedhur kandidatët për kryetarë bashkie që do garojnë në 14 maj.

Mësohet se ditën e shtunë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm i Omonias, u përcaktuan 3 kandidatët për bashkinë e Himarës, Finiqit dhe të Dropullit.

Mësohet se për Bashkinë e Himarës është zgjedhur të garojë zoti Fredi Beleri, në bashkinë e Finiqit Leonidha Hristu si dhe në Dropull Anastas Maneka. I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe kryetari i PBDNJ Vangjel Dule, i cili diskutoi me përfaqësuesit e Omonias në lidhje me zgjedhjet.

“Këshilli i Përgjithshëm i OMONOIA-s është mbledhur ku ne rend te ditës ishin zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit. Këshilli i Përgjithshëm zgjodhi unanimisht kandidatët për kryetar bashkie OMONIA-PBDNJ për zgjedhjet e ardhshme në bashkitë Dropull-Pogoni, Finiq dhe Himarë ku në bashkinë Dropull-Pogon kandidat do të jetë z.Thanas Maneka, në bashkinë e Finiqit kandidat do të jetë z.Leonidhe Kristo dhe në bashkinë e Himarës z.Fredi Beleri.”, thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të Omonias.