Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Shqipëria rezulton vendi më i korruptuar në Europë është shprehur se bizneset amerikane e shohin vendin tonë si të papërshtatshëm për të investuar.

“Tenderat dhe koncesionet dhe kontratat korruptive të PPP-ve janë kthyer në kryefjalën e shqetësimeve të çdo sipërmarrësi vendas apo të huaj. Këto kontrata prishin dhe shkatërrojnë tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme, pasi hartohen duke patur parasysh vetëm përfitimin personal të qeveritarëve”, shprehet Tabaku.

Tabaku shtoi se për shkak të pozicionit strategjik në Ballkanin Perëndimor, frymës pro amerikane dhe krahut të punës, Shqipëria duhet të ishte një vend ku bizneset dhe sipërmarrjet amerikane duhet të ishin ndër më të pranishmet në rajon.

“Fatkeqësisht, kjo qeveri i ka mbyllur prej 7 vitesh shqiptarët në burgun e oligarkisë. Raporti thekson raste konkrete të bizneseve amerikane, që janë larguar si rezultat i korrupsionit qeveritar me të cilin janë përballur. Qeveria ka qenë armiqësore ndaj investimeve të tilla, ka favorizuar korrupsionin përballë investimeve të partnerëve strategjikë të vendit. Sot më shumë se kurrë është e domosdoshme që vendi të çlirohet nga prangat e një monopoli vrastar për ekonominë dhe qytetarët”, tha Tabaku.