Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se do të padisë në gjykatë ish-deputeten e Partisë Demokratike, Grida Dumën për shpifje, duke zgjedhur të mos japë përgjigje për përgjimet e organizatës mafioze italiane Ndragheta, ku ai përmendet bashkë me Ramën.

Veliaj ka deklaruar se asnjë leje në Bashkinë e Tiranës nuk është ndikuar nga grupe interesash. Partia Demokratike nga ana tjetër ka reaguar duke thënë se nuk ka frikë nga proceset gjyqësore dhe se Rama e Veliaj po përpiqen t’u mbyllin gojën atyre që janë duke thënë të vërtetën.

“Është e qartë: Rama dhe buratini i tij kryesor janë të frikësuar
Ata po përpiqen të mbyllin gojën e kujtdo që thotë të vërtetën.
Qëllimi i vetëm i tyre është të vazhdojnë të qeverisin në kurriz të popullit shqiptar me dështimet e tyre, pa asnjë ndërhyrje.
Ne nuk kemi frikë nga asnjë proces gjyqësor që tenton të imponojë heshtjen tonë, pasi jemi këtu vetëm për një qëllim që është interesi publik i shqiptarëve.
As Rama, as buratini i tij, askush nuk do të na e mbyllë gojën”, shkruhet në reagimin e PD.