Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, i bëri thirrje SPAK të hetojë vonesën e policisë në ekzekutimin e urdhër-arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme.

Në një dalje për mediat nga selia blu, Vokshi hodhi dyshime se vonesa lidhet me negociatat e Ramës dhe ministrave me Bllakon për të mos nxjerrë emrat e tyre në aferën qindra milionë euro.

Vokshi deklaroi gjithashtu se ka të dhëna që gjatë arratisë Bllakos i është kërkuar të zbatojë kodin mafioz të heshtjes, ‘Omerta’.

Deklarata

Fshehja dhe dorëzimi i kontrolluar i Alqi Bllakos për shumë e shumë orë tregon se Edi Rama dhe vartësit e tij në Policinë e Shtetit janë gati të bëjnë gjithccka për të penguar drejtësinë.

Fakti që Policia e shtetit me urdhër politik nga Edi Rama luajti lojën e kungulleshkave, tregon panikun dhe tmerrin nga dekonspirimi që mund t’i bëjnë bashkëpunëtorët e tij, në aferën korruptive të shekullit.

Kur SPAK njoftoi se do të arrestonte deputetin e Ramës për korrupsionin gjigand me inceneratorët, kryeministri, Ministri i Drejtësisë dhe një tabor i tërë me zyrtarë të lartë u betuan për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Por, ajo që ndodhi më pas ishte një skandal i vërtetë, një skemë kriminale që u parandalua vetëm për shkak të reagimit publik.

Në pritje të urdhrit të arrestit nga gjykata, SPAK njoftoi Policinë që të mbante nën mbikqyrje Alqi Bllakon.

Por “çuditërisht” Policia, për shumë orë, nuk e gjeti Bllakon ndërkohë që me shumë gjasa ai ishte në negociata me Ramën dhe Ministrat e tjerë të zhytur në këtë aferë.

Askush nuk e thotë se ku ishte Alqi Bllako për më shumë se 12 orë. Sipas informacioneve, atij i është kërkuar që të zbatojë rregullin e Omerta-s mafioze, të mbyllë gojën e të mos tregojë shefat e përfshirë në skandalin qindra milionë euro të inceneratorëve.

Qytetarët shqiptarë e kanë shumë të qartë që Alqi Bllako nuk është as koka dhe as bishti i këtij korrupsioni gjigand. Ai është një hallkë, i cili duhet të vuajë pasojat e veprimeve të tij kriminale.

Por, a do të ketë mundësi ai të flasë lirshëm. Çfarë porosish, urdhërash apo kërcënime ka marre ne ato ore qe policia po e kërkonte ne drejtim “te paditur”?

PD i kërkon SPAK të zbardhë skandalin me policinë politike të shtetit.

Alqi Bllako sot ka mundësinë t’i bëjë një nder vetes dhe Shqipërisë. Të tregojë të gjithë të vërtetën.