Partia Demokratike thotë se Edi Rama ka filluar të kopjojë programin e opozitës si i vetmi plan që çon vendin përpara, duke iu referuar premtimeve për pagën minimale.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, PD i kujton gjithashtu kryeministrit se sa kohë nuk ka bërë asgjë në 8 vjet, s’do të bëjë as në 4 të tjerët që kërkon për mandatin e tretë. “Jemi të lumtur që shikojmë se Edi, më në fund, e kuptoi ashtu si gjithë shiptarët, se plani ynë do ta çojë Shqipërinë para, ndaj edhe ka filluar të kopjojë pjesë të tij. Po të gjithë e dinë se pas zgjedhjeve, ai s’do të bëjë asgjë nga ato që thotë. Edi e do mandatin e tretë që të vazhdojë të mos bëjë asgjë.

Nëse s’keni bërë asgjë në 8 vjet, s’do të bëni as në 4 të tjerët. Edi e ka lënë në vend numëro Shqipërinë, ne do ta çojmë përpara. Ne do të zbatojmë gjithë planin tonë kur të fitojmë dhe nëse nuk do ta bëjmë, nuk do të kërkojmë mandat të dytë. Këtë bëjnë kryeministrat e vërtetë. Kështu fiton Shqipëria“, thuhet në deklaratën e PD.