taskforca

Në 22 prill hyn në fuqi patenta me pikë.
Lejet e drejtimit aktuale do të jenë të vlefshme dhe sistemi i pikëve do të aplikohet në faqen online, ku edhe drejtuesit e mjeteve do të njihen me penalitetet. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës bën të  ditur se, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua projektvendimi “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, një akt zbatues i nenit 120/1 të Kodit Rrugor, në bazë të të cilit do të funksionojë sistemi i pikëve
të lejeve të drejtimit.Mbajtësi i çdo lejedrejtimi zotëron fillimisht një sasi prej njëzet pikësh. Pikët do të zbriten në bazë të njoftimeve nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundravajtjeve në Policinë e Shtetit, për shkeljet e normave të sjelljes, parashikuar në Kodin Rrugor, në masën e treguar në tabelën e pikëve. “Drejtuesit e mjeteve mund të marrin informacion për sasinë e pikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor nëpërmjet faqes së internetit, e-mailit, telefonit, ose me kërkesë me shkrim. Sistemi i ri i pikëve për lejet e drejtimit të mjeteve rrugore hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, më datë 22 prill 2015?, – bën të ditur Ministria e Transporteve. Sistemi i ri me pikë është unifikim i praktikave të vendeve të BE-së, i cili do të shërbejë për identifikimin dhe sanksionimin e kundërvajtësve të përsëritur të normave të sjelljes në trafikun rrugor.
SI DO APLIKOHET
Mbajtësit të lejedrejtimit i jepet një sasi prej njëzet pikësh. Kjo sasi pikësh, e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve, të parashikuar në nenet 220 dhe 221 të këtij Kodi, pëson shkurtime (zbritje), në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit. “Në thelb” nuk do të ketë ndryshime fizike të dokumentit “lejedrejtimi” ose thjesht “patenta” në terminologjinë e përditshme, por do të ndryshojë tani e tutje “sjellja” e çdo drejtuesi mjeti në raport me shkeljet e tij për të cilat drejtuesit e mjeteve duhet të fillojnë të bëhen më të kujdesshëm, për të mos “i humbur” pikët në dispozicion. Kush qarkullon i dehur do t’i hiqen 8 pikë nga patenta.
Në momentin që drejtuesi i mjetit kryen disa shkelje dhe i humbet të
gjitha pikët, ai/ajo do të drejtohet në një autoshkollë për të kryer një
kurs riaftësimi dhe një provim për të “rifituar” lejedrejtimin. E
gjitha kjo për drejtuesit e mjeteve do të thotë tani e tutje kohë e
humbur, para të shpenzuara më tepër, pra sistemi do të fillojë të jetë i kushtueshëm financiarisht për drejtuesit e mjeteve të pakujdesshme në rrugë. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor është funksional regjistri elektronik i mjeteve dhe i drejtuesve të mjeteve. Për çdo shkelje të kryer nga drejtuesit e mjeteve, për të cilat Policia Rrugore vendos një masë administrative me gjobë, në bazë të tabelës së miratuar të pikëve me VKM do të bëhet “zbritja dhe shkurtimi i pikëve”. Drejtuesve në kohë reale do t’u krijohet mundësia për të ditur në çdo kohë gjendjen reale të pikëve nëpërmjet internetit.