Pasuritë e paluajtshme kanë udhëhequr rritjen e investimeve të huaja direkte në tremujorin e tretë të vitit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ky sektor solli fluksin më të madh të investimeve të huaja, me 61 milionë euro, 154% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 9-mujorin, investimet në këtë sektor kanë arritur vlerën e 141 milionë eurove, në rritje vjetore me 171%. Deri tani, pasuritë e paluajtshme janë këtë vit sektori i dytë për nga pesha e investimeve të huaja direkte, pas industrisë nxjerrëse. Rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme duket se po tërheq jo vetëm investimet vendase, por edhe kapitalet e shtetasve të huaj. Shifrat tregojnë se investimet e huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme kanë arritur nivelet më të larta historike, të paktën që prej vitit 2014, kur nis seria kohore e Bankës së Shqipërisë për këtë tregues.

Sektori i industrisë nxjerrëse shënoi nivele të larta të investimeve të huaja direkte edhe për tremujorin e tretë të vitit, me 52 milionë euro, dy herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për të gjithë 9-mujorin e parë të këtij viti, industria nxjerrëse mbetet sektori që ka tërhequr më shumë investime të huaja, me 147 milionë euro ose 21% të totalit. Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto. Rritja e ndjeshme e çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare këtë vit duket se ka nxitur edhe shtimin e investimeve të huaja në nxjerrjen e naftës në Shqipëri, sidomos gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë.

Sektori i tretë për nga vlera e investimeve të huaja direkte ngelet ai i shërbimeve financiare. Për tremujorin e tretë të vitit, investimet e huaja direkte në tregun financiar arriti në 38 milionë euro, 41% më shumë krahasuar me tremujorin III 2020. Për të gjithë 9-mujorin, investimet në këtë sektor arritën në 114 milionë euro, 31% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, për shkak se rritja e bankave tregtare kërkon shtim gradual të kapitalit aksioner, për të qëndruar në përputhje me kërkesat rregullatore.

Ndërkohë, në sektorin energjetik, investimet e huaja direkte ishin në rënie të dukshme edhe në tremujorin e tretë, me vetëm tre milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë kishin vlerën e 69 milionë eurove. Për 9-mujorin, investimet në energjetikë kishin vlerën e 45 milionë eurove, në rënie me 80% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rënia e investimeve në sektorin energjetik ishte një zhvillim i pritshëm, pas përfundimit të gazsjellësit TAP dhe projekteve më të mëdha të investimit në hidroenergjetikë. Tani vëmendja e investitorëve është kthyer sidomos tek energjia diellore, megjithatë për momentin investimet janë shumë larg atyre të viteve pararendëse.

Tremujori i tretë solli një frenim të investimeve të huaja në industrinë përpunuese, që ranë në 28 milionë euro, nga 32 milionë euro që kishin qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, për 9-mujorin bilanci ngelet në rritje të lehtë, me 71 milionë euro ose 6% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Tjetër degë me rritje të investimeve të huaja këtë vit është ajo e shërbimeve profesionale, shkencore dhe teknike, degë e lidhur kryesisht me aktivitetet e call center, të suportit teknik apo të shitjeve për platforma të shërbimeve financiare. Për 9-mujorin 2021, ky sektor tërhoqi investime të huaja në vlerën e 43 milionë eurove, 59% më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, rritja ka qenë e përqendruar kryesisht në tremujorin e parë, ndërsa më tej investimet e huaja kanë qenë mes stanjacionit dhe rënies. Ky sektor mund të vuajë trysninë në rritje të organeve ligj zbatuese, sidomos për kompanitë që ndërmjetësojnë investime në bursat online. Në shumë raste, këto kompani angazhohen edhe në skema të mirëfillta mashtrimesh, kryesisht ndaj shtetasve të huaj.

Në 9-mujorin e këtij viti, Shqipëria tërhoqi gjithsej 711 milionë euro investime të huaja direkte, në rritje me 1.1% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë./