“Ishim përgatitur që sot ishte pika e kthesës sa i përket rezultateve pozitive dhe fitores, por për fatin tonë të keq si gjithmonë e nisim ndeshjen në disavantazh. Për fat të keq. U munduam të rikuperojmë, patëm raste, të shumta si gjithmonë, provuam të gjithë alternativat që kishim në repartin e sulmit por nuk shfrytëzuam rastet siç duhet dhe përfundimin e dini të gjithë”. Renato Kalari, që zëvendësoi në pankinë të skualifikuarin Daja, mundohet të shpjegojë atë që po ndodh me një skuadër që nuk fiton prej 7 javësh. Ajo ‘për fat të keq’ i referohet gafës së Hoxhës, që nuk është për herë të parë, por që po fundos të kuqtë, duke qenë se shkaktohen nga lojtarët më me peshë të ekipit: “Në momentin që pësuam golin e pamë që diçka nuk shkonte dhe ndryshuam skemën. Por pastaj mbetet për t’u parë në vazhdimësi se si do të shkojë situata, se si do të vendosim apo si do të luajmë në ndeshjet e tjera”.

Pankina e Dajës ishte e lëkundur pas derbit, me hijen e Ze Marias që u shfaq në Air Albania pas ndeshjes e me brazilianin që doli hapur se priste një telefonatë nga presidenti i Partizanit Gazment Demi, por është në pozitë akoma edhe më të vështirë tani. Jo për Kalarin gjithësesi: “Derisa skuadra i përgjigjet ideve të trajnerit, nuk shoh mosrakordim mes tyre dhe stafit teknik, pastaj te rezultatet është kjo që nisim ndeshjet në disavantazh dhe duke pasur këtë që na shoqëron gjatë gjithë kohës, bëhet akoma më e vështirë. Nuk jam dakord se lojtarët kanë dhënë maksimumin dhe i janë përgjigjur në maksimum ideve e strategjive të ndeshjeve”.

Mund të jetë edhe kështu, por ndërkohë skuadra është në zonën e rënies nga kategoria me 5 pikë, në shoqërinë e Kastriotit e vetëm 2 pikë më shumë se Skënderbeu i vendit të fundit: “Partizani nuk ka vdekur dhe të gjithë jemi këtu të marrim përsipër përgjegjësitë dhe do të vazhdojmë të japim makslmumin tonë që të nxjerrim nga kjo situatë Partizanin, Se ne jemi me ata, bashkë me lojtarët, që mund ta nxjerrim. Jam i bindur që do ta nxjerrim, nuk diskutohet fare”, e mbylli Kalari.