Jasir Asani, 15 minuta nga fundi i ndeshjes me Apoloninë e vendit të fundit, mund të ketë shënuar golin më të rëndësishëm për Partizanin në këtë sezon. Jo vetëm sepse i dha kryesimin kryeqytetasve 5 javë nga fundi i kampionatit, por edhe se siguroi kuotën e plotë në fazën e katërt kundër një rivali që po i hap punë të gjithëve, e që bëhet faktor nëse nuk e mund. Një vend i parë vetmitar, për herë të parë në këtë sezon, që nuk është se do ti krijojë sindromë psikologjike të kuqve.

Një sezon i cuditshëm për të besuarit e Ilir Dajës, që ndërtuan pretendime përtej situatave që i rrethonin e qendruan aty në lojë në pritje të bënin një seri rezultatesh që mund ti jepnin kreun. Pikërisht, kështu, 8 javë pa humbje, edhe pse me pretendentët direktë është ndarë vetëm në barazim, pavarësisht se në rastin më të shumtë ka merituar dicka më tepër. Të kuqtë e kanë rritur marshin me afrimin e finishit dhe kjo është meritë e përgatitjes së lartë fizike të skuadrës dhe organikës së bollshme ku tekniku Daja nuk ka frikë të hedhë sytë, madje ruan aty edhe një asist nën mëngë si Ferhan Hasani.

Ajo që duhet të ketë kujdes tani Partizani janë sfidat e drejtpërdrejta, sepse me zonën e poshtme të renditjes ka vetëm ndeshjen e kësaj jave për të luajtur, atë kundër Skënderbeut. Një kalendar i vështirë por që herët a vonë duhej përballur dhe është më mirë kur e bën si kryesues…