Barazimi kundër Apolonisë u mendua një hap fal me justifikimin e stresit të akumuluar për shkak të presionit, ose edhe faktin se luhej në transfertë, kundër një skuadre që kishte logjikë loje. Por disfata në Elbasan Arena me Skënderbeun e para për këtë vit kalendarik është krejtësisht e pafalshme.

Nuk ka as alibi lojtarësh: në mesfushë u kthye Broja e Murataj, titullarët fiksë që krijuan stabilitetin e një skuadre që fitoi me mund statusin e pretendentit kryesor për titull. E nuk vlen në këtë rast, të thuhet se nuk ishin gati. Nëse do të ishte kështu është përgjegjësi e trajnerit për hedhjen e tyre në fushë nga fillimi, duke patur parasysh se po flasim për një skuadër me organikë kualitative edhe në pankinë.

Është gati e pakonceptueshme se si mund të rrezikosh një sezon të tërë, të njollosësh një 2021 me 10 ndeshje radhazi pa humbje, pasi ke treguar dhëmbët kundër të gjithë pretendentëve, duke u shembur me zhurmë përballë fundit të renditjes. Këtë ndoshta po mundohen të bëjnë tek Partizani, të kuptojnë cfarë ndodh me skuadrën e tyre, që rezulton e fortë me të fortët dhe toleranet e shpenzuese me fundin e klasifikimit.

Por në një vëzhgim të shpejtë, me katër skuadrat e fundit të renditjes të kuqtë nuk është se i kanë patur punët mirë: dy barazime në tre ndeshje me Apoloninë, nga një humbje me Skëndërbeun e Kastriotin, ndërsa një barazim në dy takime të luajtura me Bylis. Praktikisht 12 pikë të lëna në 11 ndeshje me katërshen e fundit, ku presupozohet se një skuadër që del kampion duhet ti maksimalizojë pikët. Nuk është rastësi që Partizani rrëzohet me të tillë kundërshtarë, pasi ka bërë rezultat kundër të gjithë të tjerëve: ka vetëm një emër për këtë rast…mendjemadhësi.