Presidenti rus, Vladimir Putin, do t’i presë liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje pas përplasjeve të armatosura që patën këto dy vende së fundi, raporton “Euronews”.

Bisedimet e Putinit me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, do të zhvillohen të hënën në rezidencën e liderit rus në Sochi.

Negociatat pasqyrojnë përpjekjen e Kremlinit për të forcuar ndikimin e tij në rajon.

Armenia dhe Azerbajxhani janë përfshirë në një konflikt që nisi para 30 vjetësh për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Enklava është pjesë e Azerbajxhanit, por ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene që nga përfundimi i luftës separatiste në vitin 1994. Gjatë një lufte gjashtëjavore në vitin 2020, Azerbajxhani rimori pjesë të Nagorno-Karabakut dhe territoreve ngjitur

Më shumë se 6,500 njerëz vdiqën në luftime, të cilat përfunduan me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia. Moska dislokoi rreth 2000 trupa në rajon për të shërbyer si paqeruajtëse.