Sulmuesi i Liverpool, Mohamed Salah, para finales së Ligës së Kampionëve kundër Real Madrid bëri disa deklarata ‘thumbuese’ në drejtim të ‘Los Blancos’. Megjithatë siç duket në kampin e këtyre të fundit para finales ishin tallur me egjiptianin. Këtë e ka zbuluar anësori brazilian, Rodrygo, gjatë një interviste së fundmi, transmeton Gazeta Metro.


‘Në finale të Ligës së Kampionëve e dua Real Madridin’, ‘Dua hakmarrje ndaj tyre’, këto ishin disa nga deklaratat e Salah para se të përballej në finale kundër Real Madrid, por në fund ai doli i dëshpëruar nga stadiumi ‘Stade de France’.

 

Braziliani, Rodrygo, në një podcast për Brazil Football ka thënë se gjatë seancave stërvitore së bashku me bashkëlojtarët e tij kishin thënë ‘hajde Salah, hajde Salah’, duke treguar më tutje se kur provokohesh atëherë ju dëshironi të fitoni ndaj tij.

 

”Kur një person të provokon, ndonjëherë ju thjesht dëshironi të fitoni që të mund të talleni me të. Në stërvitje, ne thoshim ‘hajde Salah, hajde Salah’, në kokën tonë ishte tashmë që ne duhet të fitojmë për të tallur më pas.” tha ai.

Ndër të tjera 21-vjeçari tregoi se kur kishte mbaruar finalja egjiptiani ishte duke ecur i trishtuar dhe ishte kroati, Luka Modric, i cili shkoi në njëfarë mënyre për ta ngushëlluar.

 

”Kur ndeshja mbaroi, Salah po ecte pak i trishtuar, me kokën poshtë, Modric e shikoi atë dhe i tha: ”Faleminderit Salah, herën tjetër do ta provoni përsëri,” deklaroi Rodrygo.

 

‘The Reds’ u mposhtën në finale të Ligës së Kampionëve nga Real Madrid me rezultat minimal 1-0, ku golashënuesi i vetëm ishte Vinicius Junior. /